Rrjeti i fastfood-eve KFC, ka lancuar një konsolë loje, që përveçse argëton, mund të ngrohë edhe pulën…
“Dhomëza e ngrohjes së pulës do ta mbajë atë të nxehtë, të gatshme për t’u konsumuar edhe gjatë një sesioni intensiv loje”, tha KFC.
Kompania tha se konsola ishte projektuar nga një prodhues global hardware-sh dhe mund të luash në të lojëra të njohura, njësoj si në aparatet e tjera si për shembull Xbox apo PlayStation. Shumë njerëz mendonin se konsola ishte thjesht pjesë e një fushate marketingu kur ajo u paralajmërua në qershor. KFC thotë se konsola ka një sistem ftohjeje të brendshëm, që përdor nxehtësinë e prodhuar nga loja për të ngrohur pulën.
“Nëse Sony apo Microsoft do të dojë ndonjë këshillë se si të projektojë një dhomëz për ngrohjen e pulës për aparaturat e tyre të ardhshme, do të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë”, thonë nga KFC. Rrjeti ushqimor tha se aktualisht nuk ka përcaktuar ende një çmim për konsolën dhe as nuk ka dhënë një datë se kur ajo do të dalë në shitje.
Në shkurt, KFC dhe Crocs kishin njoftuar për një edicion të kufizuar këpucësh të mbuluara me kofshë pulash të pjekura të printuara në to.