Brexit po e detyron Skocinë të kërkojë shkëputjen nga Britania e Madhe

0

Nga Nicola Sturgeon “Politico.eu

Kriza e Covid-19,na ka kujtuar si kurrë më parë humanizmin tonë të përbashkët, teksa vendet në të gjithë botën përballen me të njëjtën sfidë të madhe për të garantuar sigurinë e njerëzve. Me zhvillimin e vaksinave – në vetvete fryt mahnitës i një bashkëpunimi ndërkombëtar – mund kemi shpresë për ditë më të mira në të ardhmen.

Dhe ndërsa po nisim procesin e rindërtimit të ekonomive dhe shoqërive tona, e njëjta frymë kolektive do të jetë më e rëndësishme se kurrë. Fatkeqësisht, ne që jetojmë në Skoci, po përjetojmë fundin e një projekti shumë të ndryshëm, të drejtuar nga vlera shumë të ndryshme: Brexit.

Shumica dërrmuese e qytetarëve skocezë votuan për të qëndruar brenda BE-së. Dhe kjo nuk është për t’u habitur. Vlerat themeltare të BE-së – dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut – janë edhe vlerat e Skocisë.

Gjatë gati 50 viteve të anëtarësimit tonë ne union, ne kemi përfituar jashtëzakonisht shumë nga “4 liritë” e tregut të përbashkët, përfshirë lirinë e lëvizjes. Më shumë se 230.000 njerëz nga e gjithë Evropa, e kanë bërë Skocinë shtëpinë e tyre. Ata janë pjesë e atyre që jemi edhe ne, ata janë miqtë dhe familja jonë, dhe ne duam vërtet që ata të qëndrojnë këtu.

Nga ana tjetër, unë besoj se Skocia ka kontribuar shumë në synimet më të gjera të BE-së. Në fakt, duke parë sfidat e mëdha, përveç Covid-19, me të cilat përballet BE, si emergjenca e ndryshimit të klimës,dhe ndërtimi i një ekonomie shumë më përfshirëse të “mirëqenies sociale”, Skocia ka shumë për të ofruar.

Për shembull, në lidhje me klimën ne zotërojmë rreth çerekun e potencialit të energjisë së erës në Evropë. Me referendumin e Brexit në vitin 2016, Mbretëria e Bashkuar votoi në shumicë për t’u larguar nga BE, me gjithë votën e fortë të Skocisë për të qëndruar në union.

Duke njohur preferencat e ndryshme, në vende të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar (me Irlandën e Veriut, që ashtu si Skocia votoi për të mbetur në BE, dhe me Anglinë dhe Uellsin që votuan për t’u larguar), qeveria skoceze propozoi një kompromis.

Mbretëria e Bashkuar le të largohej nga BE-ja, por të qëndronte në tregun e përbashkët. Por kjo ofertë për kompromis, u refuzua nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e cila kërkonte atëherë por edhe tani,një marrëdhënie më të largët me BE-në, për arsye të cilat nuk ka qenë asnjëherë në gjendje që t’i shpjegojë.

Tani, ne jemi përballë një Brexit-i të ashpër kundër vullnetit tonë, dhe në kohën më të keqe të mundshme, në mesin e një recesioni pandemik dhe ekonomik. Në një periudhë afatshkurtër kjo do të nënkuptojë përçarje, ndërsa në planin afatgjatë vendos barriera të reja.

Qytetarët tanë do të jenë më pak të sigurt, dhe do të kufizohet e drejta e tyre për të punuar, studiuar dhe jetuar diku tjetër në Evropë. Kjo përfshin humbjen e programit “Erasmus”, nga i cili përfitonin çdo vit më shumë se 2.000 studentë skocezë.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që një shumicë e qëndrueshme njerëzish në Skoci, thonë tani se janë në favor të pavarësisë së vendit. Skocia, ashtu si të gjitha kombet, është unike. E njëjta gjë mund të thuhet për rrethanat tona kushtetuese.

Britania e Madhe është një bashkim vullnetar vendesh, ku Skocia ka sistemin e saj të veçantë ligjor dhe arsimor, një qeveri dhe një parlament i ngarkuar me një sërë çështjesh të brendshme, të tilla si shëndetësia dhe mjedisi, por jo – siç e bëri të qartë Brexit -për çështje të tilla si çështjet ndërkombëtare dhe ato evropiane.

Ideja e pavarësisë skoceze nuk ka pasur kurrë lidhje me separatizmin. Përkundrazi,është fjala për të drejtën e njerëzve për të vendosur formën e qeverisjes më të përshtatshme për nevojat e tyre. Dhe kjo e drejtë nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme sesa sot, duke pasur parasysh kërcënimin që Brexit paraqet për internacionalistët, dhe etosit evropian që mbështetet nga kaq shumë njerëz në Skoci.

Ne jemi komodë me identitetet e shumta, dhe vendet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar do të jenë gjithnjë jo vetëm fqinjët tanë më të ngushtë, por edhe miqtë tanë më të ngushtë.

Por, për një kohë të gjatë qeveritë e njëpasnjëshme të Mbretërisë së Bashkuar, e kanë çuar Skocinë në drejtim të gabuar, duke kulmuar sot me Brexit dhe miratimin e ligjeve që kërcënonin të shkelnin ligjin ndërkombëtar, dhe që minojnë ende parlamentin Skocez.

Nuk është ndonjë çudi,pse kaq shumë njerëz në Skoci e kanë humbur durimin. Në rrugën tonë drejt pavarësisë, ne jemi të përkushtuar ndaj ndjekjes së një rrugë ligjore dhe kushtetuese.

Si një anëtare e pavarur e Bashkimit Evropian, Skocia do të ishte një partnere dhe një ndërtuese e urave të bashkëpunimit. Jo vetëm të një ure për ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe një shoqërie më të drejtë, por të një ure për të ndihmuar mirëkuptimin midis BE-së dhe Britanisë së Madhe.

Gjithnjë e më shumë njerëz në Skoci, besojnë se aspiratat tona mund të përmbushen më mirë duke vazhduar të kontribuojmë në përpjekjen dhe solidaritetin e përbashkët që përfaqëson Bashkimin Evropian.

Për shkak të Brexit, ne mund ta bëjmë këtë tani vetëm si një shtet anëtar i pavarur, në të drejtën tonë. Ne kemi qenë brenda familjes së kombeve të Bashkimit Evropian për gati 50 vjet. Ne nuk donim të largoheshim, dhe shpresojmë të bashkohemi sërish së shpejti si një partner i barabartë, ndërsa përballemi së bashku me mundësitë dhe sfidat e së ardhmes.

Shënim: Nicola Sturgeon, është kryeministre e Skocisë.

Artikulli i mëparshëmU infektuan familjarisht me COVID, deputetja e PS-së zbulon recetën si e kaloi virusin
Artikulli i radhësForum/ Si do të jetë bota pas koronavirusit?