Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill De Blasio i ka bërë thirrje policisë amerikane që të arrestojnë të gjithë pjesëmarrësit në varrime që janë mbledhur në turma të mëdha, që sic tha, nuk kanë respektuar distancën sociale, duke u mbledhur në grupe të mëdha.
Këto komente, De Blasio i bëri pasi në rrugët e Brooklyn janë parë me qindra qytetarë duke përcjellë një të afërm të tyre, që nuk mundi të jetojë dot pas betejës me Covid-19.
De Blasio doli në terren dhe tha se një situatë e tillë nuk duhet të ndodhë, aq më tepër në një vend si Nju Jorku, ku epidemia e koronavirusit ka shkaktuar shumë viktima.
Fotografi e video janë shpërndarë në rrjetet sociale, teksa njerëzit i jepnin lamtumirën e fundit Rabbi Chaim Mertz, një personi që humbi jetën nga koronavirusi. Situata ka alarmuar edhe zyrtarë të tjerë lokalë amerikanë.