Nga shok skuadre me Ronaldon, në Kategorinë e Parë tek Dinamo: “Po u desh goli, futem vetë”

0

Në fillim një ish-shok skuadre me Alessandro Del Pieron (Camarata) e tani presidenti i Dinamos Marco Pontrelli e rrit dozën: në kryeqytet zbarkojnë ish-shoku i skuadrës së Ronaldos, Francesco Moriero dhe ish-juventini Fabrizio Micoli. Dy ish-futbollistët e kombëtares italiane janë prezantuar si trajnerët e rinj të Bluve, pas largimit të Camaratas tek Apolonia: “Jo çdo gjë është paraja – tha Moriero – . Kam ardhur më parë këtu të vëzhgoja disa lojtarë. Presidenti më thirri në Romë për një bashkëbisedim. U fol për një ekip që është në vendin e parë dhe e kuptova rëndësinë e projektit. Objektivi ynë është të vazhdojmë me këto rezultate”.

Tekniku i ri i Dinamos megjithatë i ka shmangur premtimet, edhe pse po merr një skuadër në vendin e parë dhe në kohën kur mund të bëjë merkato për të përmbushur dëshirat e tij sipas idesë që ka në mendje për të aplikuar me kryeqytetasit. “Kam luajtur në shumë klube – shpjegoi Moriero -. Dua që Dinamo të krijojë identitetin e saj. Kam parë ndeshjet bashkë me Fabricion. Dinamo ka shumë potencial. Nuk mund t’ju jap një premtim në këtë moment, sepse premtimet nuk ekzistojnë në futboll”.

Asistent i ish-interistit do të jetë një ish-juventin, por që bashkë i ka bërë miqësia mes tyre. Një dyshe ofensive, që sigurisht nuk i ka harruar zakonet. E këtë Micoli e thotë me batutë: “Nëse do të duhet që Dinamo të shënojë, do të futem në fushë. Erdha në Shqipëri për të punuar me Morieron, që kam mik”.

Artikulli i mëparshëmPublikohen telefonatat e përgjuara të Përparim Ademit para vrasjes
Artikulli i radhësAktori i famshëm i Mr. Bean ‘trondit’ botën me deklaratën për rolin që ‘gdhendi’ emrin e tij në histori