Shpërndahen 23 mln euro nga paketa e dytë për 70 mijë punonjës, pjesa më e madhe biznes i vogël, s’përfiton turizmi

0

Drejtoria e Tatimeve ka përditësuar të dhënat për shpërndarjen e ndihmës financiare, të lidhur me paketën e dytë, që parashikon dhënien e një page prej 40 mijë lekësh vetëm një herë. Nga kjo paketë janë parashikuar të përfitojnë 176 mijë të punësuar.

Deri tani, sipas tatimeve, kërkesa është miratuar për 80 mijë punonjës, ndërsa është bërë pagesa për pjesën më të madhe. Rreth 70 mijë persona e kanë marrë tashmë këtë ndihmë.

Në proces shqyrtimi janë dhe kërkesat për 11.5 mijë punonjës.

Deri tani, shuma e paguar është rreth 2.9 miliardë lekë, ose rreth 23 milionë euro.

Nga 80 mijë punonjës të miratuar në total, pjesa më e madhe e tyre, rreth 62%, i përkasin masës 3, ose të punësuarve të biznesit të vogël. Masa 3 parashikon ndihmën financiare për të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS. Nga kjo masë kanë përfituar deri tani 53 mijë punonjës.

Më pas numri më i lartë i përfituesve është për masën 2, me rreth 23 mijë persona, ose 29% e totalit. Masa 2 parashikon se Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/urdhrave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.

Për masën 1, Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS, numri i përfituesve është rreth 2 mijë, ose 2.5% e totalit.

Numri më i ulët i përfituesve është për masën 4, me vetëm 1 mijë persona. Kjo masë parashikon pagesa për “Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listepagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese”.

Artikulli i mëparshëmNju Jork/ Kryetari i Bashkisë urdhëron arrestimin e personave që ishin mbledhur për të varrosur familjarin e tyre që vdiq nga COVID – 19
Artikulli i radhësGjobiten në Gjirokastër me 1 milionë lekë të reja 4 bar-kafe që ishin hapur, brenda edhe personel shëndetësor