Banka Botërore parashikon rënie me 5-7% të Shqipërisë këtë vit, problem vetëpunësimi, 61% e të punësuarve janë informalë

0

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Botërore ka parashikuar që ekonomia shqiptare do të bjerë me 5% këtë vit, I përkeqësuar nga pritshmëria fillestare prej -1.5%.

Rënia është 5% për skenarin bazë, por nëse kriza zgjat dhe në 6 mujorin e dytë, tkurrja e Shqipërisë do të ishte 7%.

Eshte prezantuar sot në mënyrë digitale Raporti i Rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perendimor. Raporti fokusohet ne ndikimin makroekonomik te pandemise COVID 19 ne keto vende. Rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të bjerë në recesion në vitin 2020, ku të gjashtë vendet parashikojnë normë negative të rritjes ekonomike teksa vijojnë përpjekjet për të trajtuar efektet ekonomike të pandemisë së COVID-19.

Persa i takon Shqiperise, mesazhet kryesore te raportit jane:

-Dy goditje të njëpasnjëshme me pasoja shkatërruese: tërmeti i Nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19 kane ngrirë një pjesë të madhe të ekonomisë. Nese shumica e aktiviteteve ekonomike mund të rinisin në fillim të verës, rritja vjetore e PBB-së pritet të tkurret me 5 përqind për vitin 2020.

-Qeveria shqiptare ka ndermarre nje seri masash per te mbeshtetur ekonomine dhe zbutur pasojat e saj ne jeten e njerezve. Nje zbatim i shpejte dhe i miremenduar do te rriste efektivitetin e ketyre masave.

-Pasi të tejkalohet kriza, normalizimi i aktivitetit ekonomik dhe procesi i rindërtimit për zbutjen e pasojave të tërmetit pritet të mbështesin një rritje të shpejtë, por në planin afatmesëm nevojitet vazhdimi i  reformave strukturore.

Ndjeshmëria më e madhe e Shqipërisë te tregu i punës

Banka Botërore ka publikuar një Hartë të të Dhënave për Ndjeshmërinë Relative ndaj COVID-19 të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria e ka ndjeshmërinë më të madhe te tregu I punës për dy arsye:

-Së pari, për nivelin e lartë të vetëpunësimit, me 34.7% të totalit dhe së dyti me Punësimin informal (% e totalit të të punësuarve), që është 61%, një record në Ballkan.

Më mirë Shqipëria renditet sa I përket sektorit financiar.

Në dobësitë e jashtme është më e prekur në eksportet e shërbimeve dhe në turizëm.

Efekti në turizëm

Recesioni do të jetë veçanërisht i rëndë në Malin e Zi, Shqipëri dhe Kosovë për shkak të varësisë së tyre nga turizmi. Në nivel global, sipas supozimit të fundit të UNËTO, rënia në numrin e turistëve ndërkombëtare mund të arrijë deri në 30 përqind, shumë më e lartë se rënia globale prej 4 përqind e shënuar në vitin 2009.5 Sipas skenarit bazë, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi do përjetojnë rënie me 20-35 përqind të ardhurave nga turizmi për vitin 2020, dhe kjo do ketë impakt negative të ndjeshëm në rritjen ekonomike të tyre në vitin 2020 për shkak se për të tre vendet, të ardhurat e drejtpërdrejta dhe indirekte të turizmit vlerësohet se përbëjnë 15 deri më shumë se 25 përqind të PBB-së. Rimëkëmbja ekonomike në transport dhe turizëm gjithashtu pritet të jetë më graduale, kështu që rritja gjatë gjysmë së dytë të vitit nuk do të kompensojë humbjet e sezonit të verës. Vetëm turizmi kosovar mund të rifillojë më shpejt pas lehtësimit të kufizimeve të udhëtimit, pasi 80 përqind e eksporteve të shërbimit të tij të udhëtimit nxiten nga turizmi i diasporës.

Efektet e Covid në Ballkan

Kriza e COVID-19 ka pasoja të rënda për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi oferta agregate dhe kërkesa agregate po tkurren njëkohësisht. Jo vetëm kufizimet e qeverisë, por edhe reagimi i familjeve dhe bizneseve ndaj krizës po ushtrojnë presion të papreçedentë në ekonomitë e rajonit. Rënia e aktivitetit ekonomik ka sjellë gjithashtu probleme për financat publike dhe ka rritur nevojën për financim të qeverive.

Edhe oferta agregate po tkurret. Kufizimet e vendosura nga qeveritë i detyrojnë bizneset dhe kompanitë me aktivitet jo jetik, të cilat nuk mund të plotësojnë kushtet për distancim social, të qëndrojnë mbyllur ose të zvogëlojnë veprimtarinë me qëllim parandalimin e shpërthimit të pandemisë. Ndonëse disa biznese mund të vijojnë aktivitetin përmes shitjes ose punës online, shumica e tyre do të përjetojë rënie të produktivitetit. Një pjesë e punonjësve duhet të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave ose sepse duhet të zbatojnë distancimin social për të shmangur infektimin. Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit vendas dhe ndërkombëtar dëmtojnë aktivitetin prodhues. Rënia e çmimeve të mallrave ndikon në zvogëlim të marzheve të fitimit në industritë nxjerrëse. Kufizimet e likuiditetit mund të shkaktojnë ndërprerje të mëtejshme në prodhim.

Sektori më i goditur pritet të jetë ai i shërbimeve, veçanërisht ato që kërkojnë ndërveprim fizik. Kufizimet e qeverisë kanë detyruar mbylljen e pjesës më të madhe të shërbimeve të mikpritjes, tregtisë me pakicë dhe atyre që kërkojnë prezencë fizike. Kufizimet e vendosura në transportin e udhëtarëve të cilat synojnë të shmangin kontaktet e afërta midis udhëtarëve, si në autobusë, trena dhe aeroplanë, e kanë dëmtuar rëndë këtë sektor. Pothuajse për të njëjtat arsye edhe turizmi është në kolaps; edhe pasi kriza të jetë vënë nën kontroll, do të duhet kohë që turizmi të rigjallërohet. Nga ana tjetër, industria prodhuese po vuan për shkak të masave mbrojtëse të distancimit social të cilat shkaktojnë pengesa në prodhim, rënie të porosive dhe probleme në zinxhirin e furnizimit. Relativisht më të fortë janë sektorët thelbësorë si mjekësia, zinxhiri i furnizimit me ushqime, sektori publik si dhe sektorët ku mund të punohet online, siç janë shërbimet profesionale të lidhura me ekonominë dixhitale.

Kjo krizë është ndryshe:

  1. Kjo është një goditje për sistemin shëndetësor në tërësi, që kërkon ngrirjen e përkohshme, të ndërgjegjshme dhe të nevojshme të aktivitetit me qëllim ngadalësimin e përhapjes së virusit. Kohëzgjatja dhe thellësia e krizës do të varet nga efikasiteti i masave kufizuese, aftësia e sistemit shëndetsor për të përballuar shpërthimin e pandemisë, si dhe nga suksesi në zhvillimin e trajtimeve efikase dhe vaksinave për sëmundjen.
  2. Politikat ekonomike në vetvete nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë fund krizës , por ato luajnë rol thelbësor: mbrojnë mjetet e jetesës duke ruajtur vendet e punës dhe forcuar rrjetin e sigurisë sociale.
  3. Një rikuperim i shpejtë ekonomik është i mundshëm, por jo i sigurt. Lehtësimi i masave të izolimit mund të zhbllokojë konsumin dhe investimet e lëna pezull, të cilat do të inkurajonin rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik. Por goditja mund të ketë dëmtuar rëndë produktivitetin në periudhë afatmesme, duke qenë se ngrirja e aktivitetit ekonomik dhe mungesa e likuiditetit detyron mbylljen e bizneseve të konsoliduara, prishjen e marrëdhënieve produktive në zinxhirin e furnizimit, ose largimin e punonjësve me njohuri të konsiderueshme në proceset e punës.

Nëse kriza do të gërryente burimet e amortizatorëve financiarë publik dhe privat, përpjekjet për të konsoliduar dhe rivendosur bilancet mund të rëndojnë mbi rikuperimin ekonomik. Në rast se kërcënimi nga virusi do të zgjaste në kohë, atëherë shqetësimet lidhur me përsëritjen e epidemisë dhe masat kufizuese do të linin në hije rikuperimin ekonomik.

Me qëllim zbutjen e efekteve të krizës, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë njoftuar paketa të konsiderueshme fiskale që variojnë nga 1 deri në 7 përqind të PBB-së (pa përfshirë garancitë) për të mbështetur qytetarët dhe bizneset.

Artikulli i mëparshëmSkrapar/ I sëmuri mendor qëllon me armë në ajër dhe mbi policinë, më pas mbyllet në banesë
Artikulli i radhës10 minuta ekspozim në diell ul rrezikun nga COVID-19. Flet ekspertja nga Australia