Sot është dita e fundit e deklarimit të TVSH-së së muajit dhjetor. Nga 1 janari, kufiri i regjistrimit të TVSH-së është rritur në 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë më parë.
Për bizneset, ka qenë e paqartë se si duhet të vepronin me mallrat stok që ishin gjendje deri në fund të 2020-s, ndërsa kanë shprehur shqetësimin se do të detyroheshin të paguanin një vlerë të lartë TVSH-je për dhjetorin, pasi do të bëhej rregullimi i gjithë TVSH-së së mallrave stok, që mund të rezultojnë të larta për shkak të shitjeve të ulëta gjatë muajve të krizës pandemike.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një deklaratë të fundit, informon tatimpaguesit se prej datës 1 Janar 2021, me hyrjen në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 576 datë 22.7.2020, i cili ndryshon fashën e tatimpaguesve për regjimin e TVSH-së dhe rezultojnë, nën kufirin e qarkullimit prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik deri në 31.01.2020 dhe kanë mallra stok (inventar) të pa-shitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme, personi i tatueshëm është i detyruar të rregullojë TVSH-në për këto furnizime.
Pra, TVSH-ja e akumuluar (tepricë kreditore TVSH) deri në 31.12.2020 do të deklarohet në formularin e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së, të muajit Dhjetor 2020, nga vetë personi i tatueshëm, konkretisht në rubrikën 50 “Rregullimi i tvsh-së së zbritëshme”.
Nëse në deklaratën e muajit Dhjetor 2020 nuk është prekur rubrika 50 “Rregullimi i tvsh së zbritëshme”nga ana e tatimpaguesit, atëherë rregullimi i tvsh së zbritëshme do të kryhet nga DRT.
Ekonomistët: Do duhet të paguajmë TVSH-në e mallrave stok
Ekonomistë pohuan për Monitor se në momentin që kanë inventarë, do të rezultojë gati gjithmonë një diferencë për pagese TVSH-je. Si rrjedhojë, biznesi bën mirë ta bëjë vetë rregullimin dhe jo tatimet, sepse edhe këta të fundit do të bazohen në vlerën e inventarit të depozituar në datë 11 nga subjektet.
Psh nëse mbas shitjeve të dhjetorit 2020, subjekti ka një tepricë kreditore 100,000 lekë por ka nje stok mallrash prej 2 mililionë lekë (pra një TVSH prej tvsh 400,000 lekë), subjekti duhet të likuidojë rreth 300,000 lekë TVSH.
Duke qenë se në muajt në vijim, subjekti do të dalë nga skema e TVSH-së, rregullimi bëhet në një deklarim të vetëm.
Si veprohet me mallrat stok
Sipas njoftimit të mëparshëm të tatimeve, të gjithë personat e tatueshëm, të cilët deri ne 31.12.2020 kanë pasur mallra stok (inventar) të pa-shitura, ose mallra kapitale, aktive të tjera të përdorura për veprimtarinë, ku TVSH-ja mbi këto mallra ka qenë tërësisht apo pjesërisht e zbritshme, (dmth kanë pagur tvsh-në për këto mallra) në bazë të nenit 9 të ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe udhëzimit Nr 6 datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, këto mallra do të konsiderohen si furnizim kundrejt pagesës dhe personi i tatueshëm është i detyruar të llogarisë ose rregullojë TVSH-në për këtë furnizim.
Bazuar në nenin 38 të ligjit Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar vlera e tatueshme e këtij furnizimi duhet të jetë e përbërë nga çmimi i blerjes së këtyre mallrave ose në mungesë të çmimit të blerjes nga vlera e kostos e përcaktuar në momentin kur personi i tatueshëm përfundon veprimtarinë e tij ekonomike të tatueshme.
Çregjistrimi nga TVSH
Personi i tatueshëm që çregjistrohet nga regjimi normal dhe kalon në regjimin e bizneseve të vogla, ose kur është regjistruar vullnetarisht për TVSH-në, detyrohet të paraqesë këto furnizime në deklaratën e TVSH-së të periudhës së fundit që është i regjistruar për TVSH-në ( deklarata dhjetor 2020).
Personi i tatueshëm është përgjegjës për të përmbushur çdo përgjegjësi për TVSH-në që nga momenti që është regjistruar deri në momentin që çregjistrohet nga TVSH-ja, sipas informacionit të tatimeve./monitor.al