Një pacient 71-vjeçar, i konfirmuar me COVID-19, në gjendje të rëndë prej 1 muaji, me insuficiencë respiratore akute, ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” mbrëmjen e sotme.
Pacienti 71-vjeçar me inicialet B.S., nga Shkodra, me pneumoni bilaterale, që vuante dhe nga sëmundje bashkëshoqëruese diabet, insuficiencë kardiake, hipertension, anemi kronike, megjithë asistencën e specializuar mjekësore në reanimacionin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, nuk arriti të mbijetojë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerit dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit fizik, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19.
31 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19, pavarësisht përpjekjeve të stafeve mjekësore të spitaleve COVID.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 16 persona, duke e çuar në 766 numrin total të të infektuarve në Shqipëri.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 270 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 16 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë, 1 raste në Shkodër dhe 1 rast në Berat”, deklaroi MSH.