Lajmi i bujshëm i arratisjes së këngëtares nga Kosova Fjolla Morina që prej ditës së mërkurë, ka vënë në lëvizje përveç policisë edhe organin e akuzës.
Nga policia e Kukësit u konstatua zyrtarisht ditën e djeshme se këngëtarja e njohur, nuk ndodhej në shtëpinë që kishte marrë me qira në Kukës për të qëndruar në arrest shtëpiak, masë e dhënë nga gjykata e këtij rrethi në 19 shtator të vitit të shkuar, pasi teksa kalonte kufirin, Kosovë-Shqipëri, në çantën e saj gjatë kontrolleve u gjetën dy pistoleta.
Përveç hetimit që po bëhet brenda radhëve të policisë për këtë arratisje, tashmë janë referuar edhe materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës ndaj vetë Fjolla Morinës, të cilës i shtohet edhe akuza për veprën penale, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa na bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak. Këngëtarja po udhëtonte me një makinë “Audi Q7”, mjet të cilin ia kishte dhuruar i dashuri vetëm pak ditë para vënies në pranga.
Bashkë me këngëtaren u arrestuan edhe biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi i saj Fitim Muji. Pavarësisht se ishin në të njëjtin mjet me të, Morina i shpëtoi dy djemtë nga përgjegjësitë, teksa deklaroi se ata nuk kishin asnjë dijeni për armën dhe se këtë të fundit e kishte dhuratë nga një mik i dashur që nuk jeton më.