Shënohet një tjetër viktimë nga koronavirusi në radhët e të rinjve. Paraditën e sotme një 31-vjeçar i infektuar nga pandemia e COVID-19 ka ndërruar jetë.
31-vjeçari ishte shtruar në spitalin COVID-2 në Tiranë prej rreth dy javësh për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Megjithatë nuk është raportuar se vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. I riu ka ndërruar jetë rreth orës 06:00 të mëngjesit sotëm dhe do të përcillet në banesën e fundit në orën 16:00.
Vetëm pak ditë më parë, nga pandemia e koronavirusit ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare Julian Buzo, montazhier në Klan Tv, duke rënduar bilancin e të rinjve që kanë ndërruar jetë nga pandemia.
Jo më larg se dy ditë më parë, ndërroi jetë edhe një 9-vjeçar. Agresivitetin e COVID-19 tek moshat e reja ekspertët e lidhin me variantet e reja të këtij virusi që duket se kanë hyrë në Shqipëri, edhe pse ende nuk është konfirmuar asnjë rasti i tillë.