Dy sportiste gjermane të skuadrës së volejbollit në plazh, Karla Borger dhe Julia Sude, kanë deklaruar se do të bojkotojnë një turne që do të mbahet në Katar muajin e ardhshëm, pasi aty nuk u lejohet të luajnë me bikini, por duhet të veshin pantallona dhe bluze të gjatë.
“Ne shkojmë atje për të bërë punën tonë dhe nuk na lejohet të veshim rrobat e punës”, tha Borger për radion gjermane “Deutschlandfunk”. “Ky është i vetmi vend dhe i vetmi turne ku qeveria na thotë si të bëjmë punën tonë”.
Katari do të mirëpresë Botërorin e Volejbollit në Plazh, për herë të parë, por për shkak të rregullave strikte mbi veshjen, dy nënkampionet e botës kanë vendosur ta bojkotojnë.
Federata Botërore e Volejbollit në Plazh ka thënë se e respekton vendimin e Katarit, bazuar mbi kulturën dhe traditat e vendit pritës.
Por gjermanët thonë se Katari ka lejuar më parë sportiste femra të garojnë me bikini.