Sali Berisha kërkon shkrirjen e komitetit aktual të ekspertëve dhe krijimin e një “Komiteti Kombëtar” të drejtuar nga Presidenti Ilir Meta për menaxhimin e pandemisë dhe një tjetër komitet me ekspertë e “specialistë të shquar” që do ta këshillojë.
Berisha akuzon Edi Ramën për qëndrim, siç thotë ai, kriminal, teksa thekson se shkurti kishte numrin më të lartë të vdekjeve që nga fillimi i pandemisë, ndërsa ditën e djeshme e konsideron më të zezën.
Në “Facebook”, Berisha shkruan se “megjithëqë këto të dhëna tejet dramatike që dëshmojnë se vdekja nga COVID-19 po bën kërdinë në Shqipëri, Xhahili i Surrelit nuk mori asnjë masë shtesë dje për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë dhe për uljen e vdekshmërisë dhe përhapjes së infeksionit”.
Reagimi
Një qëndrim sa paradoksal aq edhe kriminal!
Dje ishte dita më e zezë e pandemisë!
21 por në fakt 5.2 herë më shumë, pra së paku 100 të sëmurë vdiqën dhe në spirale dhe në shtëpi.
Xhahili i Surrelit në një akt kriminal bllokoi masat anticovid.
Pse Edvini ditën më të zezë të pandemisë nuk ndërmori asnjë masë shtesë antikovid?
Miq, dy ditët e fundit sipas shifrave zyrtare për shkak të keqmenaxhimit ekstrem të pandemisë ka pasur dy vdekje më shumë se sa vdekjet e njoftuara zyrtarisht nga data 10 Mars -31 maj 2020 kurse muaji shkurt gjer tani është sipas statistikave zyrtare, që fshehin 80% të vdekjeve, ka pasur numrin më të madh të fataliteteve që nga fillimi i pandemisë.
Vetëm dje sipas komunikatës zyrtare në spitalet Covid të Tiranës pati 21 vdekje. Në të vërtetë po të kemi parasysh se të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se vdekjet e tepërta gjatë vitit 2020 në Shqipëri ishin 5.2 herë më të larta se sa ato që deklaroheshin zyrtarisht si vdekje nga COVID-19 dje në spitalet covid, spitalet e rretheve dhe në Shqipërinë spital ka vdekur se paku 100 të sëmurë. Po kështu Shqipëria me gjithë numrin tejet të kufizuar të testimeve vazhdon të qëndrojë në nivelet më të larta botërore për numrin ditor të rasteve me COVID-19.
Këto zhvillime dramatike të pandemisë për shkak të keqmenaxhimit ekstrem të saj kanë tronditur thellë mbarë shoqërinë shqiptare.
Por megjithëqë këto të dhëna tejet dramatike që dëshmojnë se vdekja nga COVID 19 po bën kërdinë në Shqipëri, Xhahili i Surrelit nuk mori asnjë masë shtesë dje për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë dhe për uljen e vdekshmërisë dhe përhapjes së infeksionit nga COVID-19.
Me të drejte shtrohet pyetja pse ai mban këtë qëndrim indiferent dhe kriminal në këto momente tejet të rënda për kombin dhe vendin.
Arsyet kryesore të këtij qëndrimi çnjerëzor të tij janë:
1- Ai me indiferencën e tij kriminale duke u hequr sikur nuk ka ndodhur gjë, për të marrë masa shtesë kërkon të mbuloje në prag të zgjedhjeve dështimin e tij të tmerrshëm në menaxhimin e pandemisë që iu kushtoi shqiptarëve vdekje më shumë se të gjitha kombeve tjera pas Meksikës dhe Perusë.
Por kësaj i thonë le të të vdesin sa më shumë shqiptarë sepse këtë ata meritojnë ose sepse mua më duhet për shkak të zgjedhjeve t’i mashtrojë ata sikur gjithçka po shkon mirë.
2- Arsyeja tjetër po kaq çnjerëzore e këtij qëndrimi të Xhahilit të Surrelit është se çdo masë mbrojtëse shtesë kërkon mbështetje buxhetore kurse ai është i vendosur që paratë e buxhetit të mos i përdorë për mbrojtjen e jetëve dhe shëndetit të qytetarëve por t’i ndajë deri ditën e fundit me klientelën e tij gjakpirëse.
Mirëpo kësaj i thonë të pasurohesh duke u bërë aleat me COVID-19 dhe marrësh jetë të pafajshme shqiptarësh.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme të Xhahilit të Surrelit, Ndrikull Hajnisë dhe kupolës së tij të konfliktit të interesit kërkoj dhe njëherë:
1- Shkrirjen e menjëhershme të kupolës së konfliktit të interesit që përdor menaxhimin e pandemisë në funksion të suksesit imagjinar të Xhahilit të Surrelit dhe krijimin me urgjencë të,
2- Komitetit Kombëtar për menaxhimin e pandemisë se Covid-19 të kryesuar nga Presidenti i Republikës.
3- Krijimin e Komitetit të Ekspertëve me specialistë të shquar, vendas dhe të huaj jashtë çdo konflikti të interesit që do këshillojë Komitetin Kombëtar.
4- Kërkesën nga Avokati i Popullit të një hetimi ndërkombëtar për përgjegjësit e keqmenaxhimit ekstrem të pandemisë Covid-19 në Shqipëri. sb