
“Shqipëria është më e madhe se qeveria”, ky ishte mesazhi që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi edhe kryeministri i ri i dalë fitues në zgjedhjet në Kosovë, Albin Kurti, ndau sot me mediat. Kurti ishte në Tiranë në prezantimin e kandidatit të VV-së për deputet në këtë qark, Boiken Abazi ku premtoi se do të jetë kryeministri që do të vendosë marrëdhëniet më të ngushta me Shqipërinë.
“Unë do të kem marrëdhënie më të mira që ka pasur ndonjë kryeministër me Tiranën Zyrtare me Kosovën e pas luftës”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes vlerësoi kandidatin e VV në Tiranë Boiken Abazi, të cilin e cilësoi si “aktivist të pathyer dhe të pakorruptuar”. Kurti deklaroi VV në Shqipëri në këto zgjedhje kërkon që të marrë votën e “shqiptarëve të pakënaqur”.
I pyetur nga gazetarët se cila do të jetë pala politike që VV mund të bëjë koalicion pas zgjedhjeve, Kurti u tregua “diplomat”. Ai shigjetoi qeverinë për përfshirjen e krimit në politikë.
“Nuk e këshilloj kandidatët e VV, se këta e dinë më mirë se unë, por ne dëshirojmë që shteti shqiptar të mos ketë korrupsion, krim, të ketë drejtësi, punësim, gjithëpërfshirje sociale që të mos jetë për disa ‘nënë e dashur’, e për disa ‘njerkë e hidhur’, iu takon kandidatëve që t’i shpalosin listën e prioriteteve”, tha ai.
Vetëvendosje në Tiranë garon për herë të parë në zgjedhjet parlamentare. Tri kandidatët, Boiken Abazi në Tiranë, Iljaz Shehu në Lezhë dhe Kreshnik Merxhani në Gjirokastër kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për tu bërë pjesë e parlamentit të ri.
