
Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bërë një zotim të fortë publik, pas orë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit doli në konkluzionin se “qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020 dhe se Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare.”
Basha deklaroi se “ligji dhe zbatimi i hekurt i ligjit i pret ata që për tetë vite kanë shkaktuar vuajtje dhimbje, varfërim, papunësi, shpopullim”.
“Më 25 prill, – tha Basha në një deklaratë nga foltorja e PD, – garanti jam unë dhe qeveria që do të dalë nga vota juaj!
Duke filluar nga unë i pari, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, e deri tek zyrtari më i fundit, do të jemi të hapur përpara drejtësisë; do t’ia çlirojmë drejtësisë duart për t’ia vënë prangat kujtdo zyrtari të korruptuar, që vjedh bukën e gojës së fëmijëve tuaj, që e kthen vendin në parajsë të krimit, paligjshmërisë, në delen e zezë të Europës, siç konstatojnë raport pas raporti dhe sot raporti I DASH-it.
Ligji dhe zbatimi i hekurt i ligjit i pret ata që për tetë vite kanë shkaktuar vuajtje dhimbje varfërim, papunësi, shpopullim.
Zotohem sot para jush se akti im i parë dhe i fundit si Kryeministër do të jetë garantimi i pavarësisë së plotë të drejtësisë.
