Ditën e sotme është shpallur kompania fituese e cila do të ndërtojë Aeroportin e Vlorës. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku bëri me dije se fituesi është një bashkim i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%). Kompania kryesore (Mabetex Group) të kuotave në konsorciumim fitues është në pronësi të Behgjet Pacollit. Vlera e investimit është 103.966.030 Euro. Balluku tha se ky aeroport do të jetë shtëpia e “Air Albania”, teksa tha se pas pak javësh do të hapet gjithashtu edhe aeroporti i Kukësit.
”Tashmë përmbyllet edhe me kontratën për aeroportin e Vlorës. Tani vjen ai i Sarandës që do të plotësojë kurorën, nga Kukësi, Tirana, Vlora dhe tani Saranda. Kemi nisur nga puna dhe për Korçën, duke qenë se potenciali turistik aty është mjaft i madh… Tani është momenti konkret se kush është fituesi. Kemi pasur dy garues. Njëra nga ofertat është ALDE Coorporation, që nuk ka përmbushur asnjë kriter. Nuk ka pasur as eksperiencën, as kushtet financiare. Kompania tjetër dhe fituese është e regjistruar në Zvicër, ka është një bashkim Mabetex Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%), ku vlera e investimit është 103.966.030 Euro.”-tha Balluku.
Fillimisht në dhjetor të 2019, qeveria hapi garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë ishte 12 mars 2020. Tenderi u rihap në tetor 2020, por në 10 nëntor, Balluku njoftoi dështimin e tenderit për herë të dytë, për shkak të pandemisë së Covid-19. Qeveria më pas e rihapi më 23 nentor garën ndërkombëtare.