Superkompjuteri japonez Fugaku është për momentin kompjuteri më i fuqishëm në botë. I krijuar nga kompanitë “Riken” dhe “Fujitsu Ltd”, ky kompjuter doli i pari në listën e 500 kompjuterëve më të mirë në botë.
Fugaku mund të realizojë 415 000 trilionë veprime në sekondë, duke qenë kështu gati 3 herë më i shpejtë se Summit, superkompjuteri i ndërtuar nga IBM që mbante vendin e parë para tij.
Por, përtej të dhënave teknike, ajo që i intereson njerëzimit është se ky “xhevahir” teknologjik, nga sot, ka nisur punën me rendiment të plotë kundër pandemisë.
Krijuesit e tij janë të bindur se falë këtij kompjuteri, hetimi mbi koronavirusin do të jetë më efikas. Prillin e kaluar, Fugaku nisi të kërkonte ilaçet më të mira për trajtimin e Covid-19, ndërsa tani do të ofrojë zgjidhje për çështje të ndryshme që do të shtrojë pandemia.
Përveç ndihmës ndaj Covid-19, pritet që superkompjuteri të futet në punë edhe për qindra projekte të tjera, që përfshijnë ndryshimin klimaterik dhe aplikacione të inteligjencës artificiale.