Kosova nuk do të luajë futboll me Spanjën pa flamurin dhe himnin e saj

0

Nga VOA-

Federata e Futbollit të Kosovës paralajmëroi se nuk do të pranojë të luaj me ekipin e Spanjës më vonë gjatë këtij muaji, në një ndeshje të vlefshme për kualifikimet për Kupën e Botës, nëse nuk i lejohet shpalosja e flamurit dhe intonimi i himnit të Kosovës.

Paralajmërimi pasoi një njoftim në twitter të kombëtares së Spanjës e cila ju referua Kosovës si “territor”.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Federata e Futbollit e Kosovës, tha në një komunikatë se qasja e shtetit spanjoll ndaj pavarësisë së Kosovës “nuk mund ta ndryshojë dot historinë dhe realitetin”.

“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kot dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”, thuhet në reagimin e federatës në të cilën theksohet se kriteret e UEFA-s e FIFA-s janë të ditura e të qarta.

“Nëse ata duan medialisht të arsyetohen para opinionit të brendshëm është çështje e tyre, por Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet”, thuhet në komunikatë.

Ndeshja është planifikuar të mbahet më 31 mars në Sevilla të Spanjës. Federata e Futbollit të Kosovës tha se do të kërkojë ndërhyrjen e UEFA-s anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2016.

Në UEFA, thanë në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës se “ndeshja në fjalë hyn nën juridiksionin e FIFA-s dhe për këtë arsye rregullohet nga rregulloret e FIFA-s”.

Nuk ka pasur ndonjë koment deri tani nga FIFA dhe as Federata Spanjolle e Futbollit.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar në shortin e hedhur për kualifikimet për Kampionatin Botëror të Futbollit “Qatar 2022”, ekipi i Kosovës është në një grup me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.

Atëbotë ministrja e Jashtme spanjolle, Arancha González Laya, tha se e drejta ndërkombëtare dhe rregullat e FIFA-s janë dy “botë të ndara”, duke theksuar se cështja do të zgjidhet në këshillim me mekanizmin botëror të futbollit.

Artikulli i mëparshëmPresidenti Meta dënon sulmin e Ramës ndaj Grida Dumës: Akt rrugaçërie!
Artikulli i radhës“Kam frikë se e ardhmja do jetë njerëz që i ngjajnë robotëve”/ Psikologia e njohur shqiptare shokon me deklaratën e saj