Gjeorgjina Kuli, nga Komiteti i Vaksinimit, deklaroi se vaksinat ruse dhe kineze “janë të aprovuara nga agjencitë e vendeve përkatëse, të cilat janë agjenci të rëndësishme, që kanë historik shumë të mirë në përgatitje medikamentesh dhe vaksinash”.
E pyetur nëse vaksina do të jetë me detyrim, Kuli theksoi se me detyrim është vetëm ruajtja e shëndetit publik:
“Vaksina nuk do të jetë me detyrim, madje vihet re një mbështetje e madhe e vaksinimit në vendin tonë. Gjithmonë kemi pasur një traditë të mirë me vaksinat. Deri tani, nuk janë vënë re kundërshtime nga ana e personave të cilëve u është ofruar vaksina. Vaksina nuk është e detyrueshme, por e detyrueshme është ruajtja e shëndetit publik. Nëse një personel shëndetësor bën një veprim që kërcënon jetën dhe shëndetin e tjetrit, duhet të mbajë përgjegjësi. Ai person duhet të jetë i bindur që vaksinimi nuk ka të bëjë me veten e tij, por me qindra pacientë me të cilët do të ketë kontakt”.