Tatimet rimbursuan TVSH në kohë rekord/ Biznesmenit të vrarë në Durrës shteti i ktheu 202 mln lekë

0

Edmond Koçi, njeriu që mbeti i vrarë në një atentat mafioz mëngjesin e 20 marsit 2021 në Durrës, rezulton të ketë përfituar para nga strukturat shtetërore, duke futur në zbatim skemën e rimbursimit të TVSH-së.

Personazhi mjaft i lakuar në botën e krimit që në Durrës njihej me nofkën “Mond Çekiçi”, është përfitues i një shume financiare prej 203 milion lekë të vjetra, shumë kjo që i ka kaluar në llogarinë e kompanisë së tij “Liburnet 1”.

Ndërkohë në emër të bashkëshortes së Edmond Koçit, Vjosa Kalemi, zotërohen 20 për qind të aksioneve në një platformë interneti dhe sinjal kabllori.

“Ora News” mëson se autoriteti shtetëror që ka kaluar këtë vlerë financiare për llogari të Edmond Koçit, është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila në 11 qershor 2015 dhe 12 gusht 2016, ka paguar shumën prej 14.137.706 lekë të reja, si rimbursim TVSH-je.

Më tej në 1 korrik të vitit 2020, kompania e ngarkim shkarkimit në portin kombëtar të Durrësit, “Liburnet 1”, ku Edmond Koçi, është pronar me 32 për qind, ka depozituar faturat në Drejtorinë e Tatimeve për të përfituar rimbursim tjetër.

Një muaj pas kërkesës së bërë, në datën 1 gusht 2020 kompania “Liburnet 1”, përfiton nga tatimet rimbulsimin e TVSH-së me vlerën financiare prej mbi 61 milion lekë të vjetra, mëson Ora News.

Në total janë 203 milion lekë të vjetra që kompania “Liburnet 1”, ka përfituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. .

Edmond Koçi konsiderohej si krahu i djathtë i Plaurent Dervishaj, njeriut që u arrestua dhe lirua në Dubai, për vrasjen në 25 shkurt 2005 të Klodian Saliut dhe biznesmenit Vajdin Lamaj.

Një nga dy pistat e hetimit është një vijueshmëri e luftës mes bandave kriminale që veprojnë në Durrës dhe Shijak, për shtrirjen e influencës së tyre brenda në portin e Durrësit dhe konfliktet që kanë për pronat në Gjirin e Lalëzit.

Artikulli i mëparshëmNgjarje tragjike në Itali! 30-vjeçarja shqiptare humb jetën në aksident
Artikulli i radhësBasha takime me të rinjtë në Bllok/ “Dëshira për ndryshim, ndihet tek të gjithë”