Pesë mënyrat se si Covid-19, e ka ndryshuar mënyrën sesi lëvizin njerëzit nëpër botë

0

Nga Mary A.Shiraef “The Conversation”

Udhëtime të anuluara: 2.93 miliardë . Mbyllje të ndërkombëtare të kufijve:1.299. Jetë të ndërprera:Të panumërta. Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli Covid-19 një pandemi, shumica e vendeve në botë i mbyllën kufijtë e tyre, ndonëse ekspertët e shëndetit publik e vunë në fillim në dyshim këtë strategji për kontrollimin e përhapjes së sëmundjes.

Unë studioj emigracionin, ndaj fillova të analizoj ndryshimet e mëdha, se si dhe ku mund të lëvizin njerëzit nëpër botë. Për këtë i jam referuar të dhënave të projektit “COVID Border Accountability” nisur në maj 2020.

1. Gjithçka nisi më 11 mars 2020

Kufizimet e udhëtimit, arritën kulmin menjëherë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e pandemisë më 11 mars të vitit të shkuar. Atë javë, të dhënat tona tregojnë se një total prej 348 vendesh dhe rajonesh, mbyllën plotësisht ose pjesërisht kufijtë e tyre.
Mbylljet e plota, kufizuan hyrjen e të gjithë shtetasve të huaj në kufijtë ndërkombëtarë.

2. Kufijtë e mbyllur plotësisht

Shumica e vendeve, ndaluan në një moment hyrjen e të gjithë udhëtarëve të huaj. Nga Finlanda deri në Sri Lanka në Tonga, 189 vende – ose shtëpia e afro 65 për qind të 7.7 miliardë njerëzve në botë – vendosën një mbyllje të plotë të kufirit në përgjigje të pandemisë Covid-19.
E para që u izolua nga bota ishte Koreja e Veriut, më 22 janar 2020. I fundit ishte Bahreini, më 4 qershor 2020. Shumica e vendeve, lehtësuan më pas kufizimet, dhe shumë prej tyre i rihapën kufijtë e tyre, vetëm për t’i mbyllur sërish, kur rastet e reja me Covid-19 u përhapën në të gjithë botën.
Deri në fundin e vitit të shkuar, afro gjysma e të gjitha vendeve mbetën plotësisht të mbyllura për shtetasit e huaj por edhe të atyre vendas, me përjashtim të udhëtimeve që lidhen me urgjencat shëndetësore, misionet humanitare ose diplomatike, tregtinë ose ribashkimin e familjes.

3. Ndalimet specifike dhe mbylljet e pjesshme

Vitin e kaluar 193 vende të botës u mbyllën pjesërisht, duke kufizuar hyrjen e njerëzve nga vende të veçanta ose duke mbyllur disa – por jo të gjitha – nga kufijtë e tyre tokësorë dhe detarë. Midis këtyre, 98 vende vendosën ndalime specifike që kufizonin hyrjen e grupeve specifike të njerëzve, bazuar në udhëtimet apo kombësinë e tyre.
Ndalimet e para të udhëtimit patën në fokus qytetarët e Kinës, të pasuar shpejt nga vendet
e tjera që përjetuan shpërthimet më të hershme dhe të njohura të koronavirusit të ri. Për shembull, Shtetet e Bashkuara, vendosën një varg ndalimesh, në fillim për udhëtarët që vinin nga Kina, pastaj nga Irani, dhe më pas nga 26 vende evropiane. Shumica e vendeve i shtuan mbylljet e kufijve tokësorë në ndalimet e udhëtimit ajror, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në mars 2020, administrata Trump mbylli kufijtë e saj me Kanadanë dhe Meksikën.

4. Kufizimet ndaj banorëve të SHBA-së

Edhe amerikanët u përballën me kufizime të mëdha të lëvizjes së tyre vitin e kaluar. Amerikanët, që patën dhe kanë ende përhapjen më të madhe të Covid-19, u ndaluan nga
190 vende ose në mënyrë specifike, për shkak të kufijve të mbyllur.
Pasaporta amerikane, zakonisht një nga më të fuqishmet në botë për udhëtimin në vendet e tjera, u rendit e 18-ta në vitin 2020. Rajonet e reja që vunë kufizime për amerikanët, përfshijnë pjesën më të madhe të Evropës, dhe gati të gjithë Amerikën e Jugut.

5. Kërkuesit e vizave dhe emigrantët

Nga 98 vendet që zbatuan ndalime specifike, 42 prej tyre kufizuan posaçërisht hyrjen në vend të gjithë kërkuesit e vizave. Javën që pasoi mbylljen e zyrave të imigracionit në të gjithë botën, 20 vende, përfshirë Filipinet Beninin dhe Nepalin, ndaluan lëshimin e të gjitha vizave.
Në shtator 2020, administrata Trump ndaloi programin amerikan të azilit, duke i ndaluar refugjatët që të kërkonin azil në SHBA. I vetmi vend tjetër që shënjestroi enkas emigrantët dhe azilkërkuesit me ndalimet në kuadër të Covid-19 ishte Hungaria.

Bota sot

Si shumë të tjerë edhe unë pyeta fillimisht nëse kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit, do të qëndrojnë në fuqi edhe pas përfundimit të pandemisë, duke çuar në kufizime më të përhershme të lirisë së lëvizjes. Por në përgjithësi, bota po rihapet. Deri në fund të vitit të kaluar, ishin hequr 137 nga 189 mbyllje të plota të kufijve.
Përveç shifrave të frikshme të mbylljeve, unë jam habitur nga niveli i bashkëpunimit
midis vendeve, sidomos brenda Bashkimit Evropian. Gati çdo vend i BE-së u pajtua me rekomandimet e bllokut mbi udhëtimet, një dëshmi kjo e aftësisë së BE-së për ta menaxhuar krizën si një rajon i unifikuar.
Kufizimet e udhëtimit do të vazhdojnë që të shfaqen, marrin fund dhe evoluojnë, në varësi
të situatës. Ndërsa vendet më të pasura, po vazhdojnë të vaksinojnë me shpejtësi popullsinë e tyre, ato më të varfra vazhdojnë që të vuajnë valë të reja të Covid-19. Udhëtimet ndërkombëtare, mund të kërkojnë një “kartë vaksinimi” nga Covid-19. Ndalimet e reja të synuara të udhëtimit mund të shfaqen sërish. “Normaliteti” është ende shumë larg.

Artikulli i mëparshëmCila është e vërteta rreth piramidave të Antarktidës?
Artikulli i radhësCovid-19 / Vaksina pilulë po jep rezultate inkurajuese