Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar sot seanca paraprake ndaj ish-efektivit të forcave ‘Shqiponja’ Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha mëngjesin e 8 dhjetorit në zonën e Laprakës.
Seanca paraprake kryesohej nga gjyqtari Bedri Qorri, i cili vendosi të kalojë për gjykim dosjen penale të Nevaldo Hajdaraj.
Ndaj efektivit të forcave shqiponja Prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje. Vetë Hajdaraj ka qenë në seancën e sotme, ku gjatë gjithë kohës ka qëndruar me kokën ulur.
Raportohet se Nevaldo Hajdaraj ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Megjithatë do të jetë trupi gjykues i çështjes që do të vendosë për këtë.
Avokati i ish-policit kërkoi ndryshimin të akuzës nga vrasje me dashje në vrasje në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme.