Pasditen e sotme e ftuar në emisionin “Rudina” në TV Klan ishte gazetarja e “Aldo Morning Show”, Enxhi Kosturi. Pak kohë më parë ajo humbi të atin nga Koronavirusi, aktivist dhe kryetari i shoqatës rome “Distuni Albania” në Korçë, Arben Kosturi.
Enxhi rrëfeu se fillimisht ishin infektuar vëllai, mami dhe motra e saj, ndërsa më pas i ati. Ajo tregoi se babai kishte pasur simptoma të tilla si temperaturë, djersë të ftohta, madje dhe pështymë me gjak.
“Të them të drejtën unë dhe babi kishim marrë një nismë duke ndihmuar familjet në nevojë. Të dy bashkë shkonim në biznese të ndryshme duke marrë ndihma, por babi ishte ai që mbrohej më shumë. Unë gjithmonë qeshja, i thoja mos e mbaj këtë maskën, trego dhëmbët e floririt. U sëmur vëllai në fillim, pastaj mami edhe motra. Ai u bë doktori i familjes tonë, duke i bërë injeksionet. Kur pastaj u sëmur vetë dhe i thoja gjithmonë kur përgatitesha për në emisionin e mëngjesit “Aldo Morning Shoë”, ju bini erë Covid, ai qeshte. I thoja bëni një tampon se nuk ju kushton asnjë gjë, plus që është dhe falas. Kur e bëri tamponin, ai e përjetoi shumë, i doli pozitiv, e mjekova në shtëpi vetë 2 javë. Nuk donte të hipte në makinën time duke thënë që Enxhi do të ta ngjis.
Ne e dinim se ishte ndonjë gjendje e lehtë gripale, nuk e menduam që ishte Covid. Ka qëndruar 1 javë pa mjekime, ka pasur temperaturë, djersë të ftohta dhe neglizhenca e tij bëri babi më ka lënë. Për 3-4 ditë u mjekua me antibiotikë etj, po shikoja që ai po pështynte gjak, nuk më pëlqente, në shtëpi kishte bërë një trombozë në mëlçi, njoftuam mikun e tij shefin e urgjencës të Korçës dhe vjen e i thotë ore Beni po ti sikur ke pirë raki se babi im nuk pinte as raki as alkool”, tha Enxhi.