Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Mamurras, ku mbetën të plagosur tre persona, dy prej të cilëve efektiv të policisë. Pas ngjarjes në pranga janë vënë katër persona si të përfshirë. I arrestuar është edhe polici i patrullës në Mamurras David Madani , i cili qëlloi me armë duke lënë të plagosur dy kolegët e tij dhe personin tjetër të përfshirë në konflikt.
SHÇBA shpjegon se ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N. V. , i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras. Më pas, rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Sipas SHÇBA tre personat goditën me sende të forta, punonjësin e policisë David Madani, i cili në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë Ilir Zekaj dhe Flamur Lleja. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm.