Femrat zënë pjesën më të madhe të vendeve të punës në administratë. Nga deklarimi i të dhënave për 5502 punonjës janë nxjerrë edhe disa prej treguesve kryesorë të lidhur me moshën mesatare dhe gjininë. “Në institucionet e vetëqeverisjes vendore, në vitin 2020, jemi drejt një balance gjinore, me një tendencë të lehtë në rritje drejt gjinisë femërore, që paraqitet në shifrën prej 54% të nëpunësve civilë dhe gjinia mashkullore në nivelin prej 46 %. Mosha mesatare e femrave është 39 vjeç dhe e meshkujve është 43 vjeç, ndërsa e nëpunësve civilë është 41 vjeç” thuhet në raportin e Komsionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Lidhur me mbikëqyrjen në institucionet e qeverisjes qendrore, raporti i Komisionerit ka bërë një analizë lidhur me arsimimin e punonjësve si dhe raportet gjinore. Kështu në kushtet e një kampioni studimor prej 107 nëpunës civilë, nga të cilët 76 prej tyre janë të punësuar në institucionet e administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe 31 të tjerë të punësuar në institucionet e administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, rezulton se numri total i punonjësve të gjinisë femërore është 75 ose 70% dhe i gjinisë mashkullore 32 ose 30%.
“Ndërkohë, në lidhje me institucionin arsimor ku janë diplomuar 107 raste të verifikuara, ka rezultuar se, 99 punonjës janë arsimuar në institucione të arsimit publik; 7 të tjerë në institucione të arsimit privat dhe 1 punonjës ka kryer studimet jashtë vendit. Në këto shifra, 92% e zënë nëpunësit civil që e kanë marrë edukimin arsimor në arsim publik, 7% në arsimin privat dhe 1% jashtë vendit” thuhet në dokument.
Lidhur me largimet që mund të jenë bërë nga institucionet në vitin e kaluar është nënvizuar se në shumicën e rasteve ato kanë qenë të lidhura me ristrukturimet. Si shkak i dytë janë masat disiplinore që mund të jenë marrë ndaj punonjësit apo dorëheqjet dhe vlerësimet “jo i kënaqshëm” sa i takon performancës. /N.Maho/MONITOR