Ikja e Ramës – shansi i fundit për shpresën

0
Img 20190422 Wa00441

Në orët e numërimit mbrapsht deri kur të marrim në duar fletën e votimit, arsyet pro dhe kundër ose ankthi për të ardhmen mundojnë secilin prej nesh. Shumë të lodhur nga politika, me dyshimin se pushteti që japim për 4 vjet, keqpërdoret nga të gjithë, e hedh fletën e votimit si një biletë llotarie, ku propabiliteti i fitores është 1 me 2 milionë.

Ka akoma njerëz që e shesin biletën e llotarisë përpara, për të marrë fitimin minimal dhe për të humbur pa ëndrra në gjumin e autokracisë dhe keqqevrisjes.

Nuk duhet të jetë kështu, është edhe faji ynë pse është kështu. Pas 30 vjetësh dështimi, që pasoi 45 vjetët e shtypjes, duhet të mendojmë që ndoshta nuk është vetëm faji i pushtetarëve. Pas diktaturës kërkuam një lider për t’i lënë mbi shpinë barrën e demokraticisë. Sali Berisha e mori në shpinë dhe e bëri pronë të vetën, ndërsa kultin e individit të fortë disa e krijonin disa e kundronin pa reaguar.

Pastaj kërkuan në simetri të plotë të kundërtën e Berishës. Fatos Nano ishte perfekt për të bërë të njëjtën gjë me mënyra të tjera. Shqipëria ndoqi rrugën e tij, rezultati ishte rikthimi tek e kundërta simetrike, që me pak moderim solli të njëjtat probleme.

Në 2013, pas zhgënjimeve nga 2 liderët e parë të tranzicionit, bëmë të njëjtën gjë me Edi Ramën, ia lamë në shpinë gjithë barrën. Ai e futi në zyrën e sapo-zbukuruar, e mbylli aty dhe nuk e ka nxjerrë akoma. Në përsëri kundrojmë dhe fajësojmë liderin.

Përballë është Lulzim Basha, premtimi më i mirë i të cilit është që nuk do ta bëjë vetëm, nuk do ta marrë vetëm barrën, nuk e personalizojë qeverisjen. Kjo është më mirë, por nuk mund të jetë garanci. Përvoja e vendeve shumë të zhvilluara tregon se asnjë politikan, sado tolerant, nuk garanton vërtetë demokracinë.

E garanton vetëm kontrolli i vazhdueshëm, kufizimi i vazhdueshëm i pushtetit, e garanton parlamenti pluralist që ne nuk e kemi më, e garantojnë gjykatat e pavarura që nuk i kemi më, institucionet e pavarura, ku ka mbetur vetëm Presidenca (më shumë opozitar se i pavarur).

Kur të gjitha këto dështojnë ta korrigjojnë abuzimin e pushtetit, garanti jemi ne. Duke votuar është mjeti i parë, por 1 herë në 4 vjet është pak. Aq më tepër kur vota deformohet dhe pushteti nuk ka më frikë. E vetmja mënyrë mbetet protesta, mbajtja e përditshme nën presion e qeverisë, për cdo vendim të keq, për cdo abuzim me detyrën, për cdo sjellje të papranueshme.

Nuk është rastësi që investimi i parë i Edi Ramës ishte vrasja e protestës, duke kërcënuar, arrestuar dhe pastaj blerë shoqërinë civile. Protesta për mbrojtjen e Parkut të Liqenit mbahet mend më shumë për dhunën e policisë së për rezultatin.

Ishte shenja e parë e luftës që një pushtet abuziv po i bënte protestave, si institucioni më i rëndësishëm i kontrollit. Më pas me Astirin dhe pastaj me Teatrin, kulmoi dhuna pa kufij mbi protestuesit, për ta mirë shoqërinë dhe për t’i shtruar abuzimit rrugën, kilometrik i së cilës kushton 20 milionë euro.

Në 25 prill duhet të rimarrim veten. Atë që na bënë tek Teatri, si akti i fundit dhe kulmor i barbarizmit, duhet ta kthejmë me votë. Të ndryshojmë qeverinë dhe të kontrollojmë që nga dita e parë qeverinë e re. Të rikthejmë protestën, dinjitetin e shoqërisë, ta mos ketë më frikë qytetari nga shteti, por shteti nga qytetari. Ta bëjmë qeverinë e re që të ketë frikë nga protestat e përditshme dhe nga vota pas 4 vjetësh, ndoshta edhe më herët nëse dështon. Vetëm kështu mund të ndryshojmë fatin e keq të 76 viteve.

Ose do ta fitojmë në 25 prill 2021, ose do të instalojmë përfundimisht një regjim që ka ngritur tashmë karabinanë, që do ta shkatërrojë përfundimisht atë pak shpresë për rikthimin në demokraci dhe mirëqënie. Nëse humbasim këtë shans, do të na shndërrojë në njerëz pa të drejta ose do të na zëvendësojë me skllevërit modernë që po planifikojnë të sjellin.

Duhet ta fillojmë nga beteja e fundit që fituam, ajo e nëntorit 2013, kur projektuesi i regjimit e kuptoi që do të humbiste nëse nuk na mohonte të drejtat. Pas 7 vitesh e gjysmë ky është shansi i fundit që populli të fitojë ndaj qeverisë./ Dosja.al

Artikulli i mëparshëm“Arbër Papleka ka përdorur armën kur është ndjerë i rrezikuar”, Klodiana Lala nxjerr detajet e forta nga ekzekutimi në Elbasan: Ja pse u dorëzua vet në polici ish-efektivi i RENEA-s!
Artikulli i radhësTurqia në Alarm/ Biden përgatitet të hedhë hapin të cilin Washingtoni e ka shmangur! Erdogan mbledh me urgjencë “shtabin”