UEFA heton Ibrahimovic për lidhje me lojërat e fatit

0
UEFA heton Ibrahimovic për lidhje me lojërat e fatit

UEFA ka hapur zyrtarisht një hetim për sulmuesin suedez të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, pas zërave se ai është aksionar në një kompani bastesh me qendër në Maltë, një veprim ky i ndaluar për të gjithë futbollistët.

Lajmi u publikua pak ditë më parë në mediat suedeze, ku thuhej se gjiganti me origjinë nga Bosnja ka një sasi të vogël aksionesh në kompaninë e basteve “Bethard”, ndonëse FIFA dhe UEFA u ndalojnë lojtarëve që luajnë në kompeticionet e tyre, të kenë pronësi në kompani bastesh.

Mësohet se Federata Suedeze e Futbollit ka pasur dijeni për rastin që para tre vitesh dhe pikërisht për këtë arsye nuk e ka ftuar sulmuesin në përfaqësuese, megjithatë në mars Ibra u rikthye sërish të veshë fanellën e Suedisë.

“Në bazë të artikullit 31(4) të Kodit Disiplinor, një inspektor i Etikës dhe Disiplinës në UEFA është ngarkuar për të hetuar në lidhje me shkelje të mundshme të këtij neni nga ana e Zlatan Ibrahimovic, që dyshohet se ka në pronësi një kompani bastesh sportive”, thuhet në komunikatën e UEFA-s.

Nëse konfirmohet shkelja disiplinore për sulmuesin 40-vjeçar, atëherë ai rrezikon të përballet me një pezullim të ashpër, që mund ta lërë për shumë muaj jashtë aktiviteteve futbollistike.

Artikulli i mëparshëm“Bomba” e Spartak Ngjelës: Nëse ndodh kjo gjë, Rama as 6 muaj nuk qëndron në pushtet
Artikulli i radhësItalianët votuan për një rregull të ri, Juventusi kërcënohet me përjashtim nga kampionati