Shtohen fluturimet në Rinas, pas Ukrainës rinis Zyrihu

0

Me afrimin e sezonit veror, fluturimet nga dhe drejt Rinasit sa vijnë e po shtohen.

Tirana International Airport (TIA) njoftoi se duke filluar nga 7 maj 2021 Swiss Edelweiss rinis fluturimin direkt nga Zyrih në Tiranë dhe kthim me operim një herë në javë, të Premteve. Shpresohet të rifillojnë dy herë fluturimet në javë nga qershori gjatë gjithë sezonit të verës.

Më tej, që nga qershori Lufthansa Group do të rrisë frekuencat e fluturimeve për në Vjenë, Frankfurt, Zyrih dhe Mynih duke ofruar një gamë të gjerë të lidhjeve me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe duke rritur sasinë e destinacioneve të ofruara për / nga Shqipëria në të gjithë botën, njoftoi TIA.

Pak ditë më parë filluan fluturimet dhe charterat e parë me turistë. “SkyUp Airlines ishte linja e parë ajrore që rifilloi fluturimet turistike midis Ukrainës dhe Shqipërisë. SkyUp Airlines rifilloi fluturimin nga Kyiv Borispol (KBP) për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ‘Nënë Tereza’ (TIA) më 25 Prill. Shërbimi fillimisht do të bëhet dy herë në javë, të enjteve dhe të dielave duke përdorur avionët Boeing 737-800, duke u rritur në 5 fluturime në javë nga fundi i majit” thuhet në njoftimin e TIA.

Tregu i fluturimeve shënoi goditjen më të rëndë nga pandemia. 2020-a ishte viti me trafikun më të ulët të pasagjerëve në Aeroportin e vetëm Ndërkombëtar të Rinasit, që prej 2008-s. Sipas të dhënave të “Tirana International Airport” (TIA), përmes tij udhëtuan në total 1.3 milionë pasagjerë, me një rënie 61% në krahasim me vitin e kaluar.

Tkurrja më e lartë në vitin 2020 u shënua drejt qyteteve italiane, që historikisht kanë qenë destinacionet kryesore të fluturimeve, të nxitura nga numri i lartë i emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj. Italia ishte e para që u godit nga kriza e COVID, duke bllokuar fluturimet, por edhe pas rifillimit të fluturimeve, rrugët mbetën të kufizuara.

Rënia vjen pas lulëzimit që shënoi trafiku i pasagjerëve vitet e fundit, i nxitur nga kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik, gjë që solli gjithnjë e më shumë turistë nga Jugu në Veri dhe rriti numrin e pasagjerëve që udhëtojnë me charter me destinacion vendin e shqiponjave, deri në momentin që filloi pandemia.

Edhe në pjesën e parë të 2021-it, tregu nuk i është kthyer ende normalitetit. Mesatarisht ka rreth 20 fluturime në ditë, nga rreth 60 të tilla në kohë normale.

Edhe sot, shtetasit shqiptarë nuk mund të udhëtojnë lirisht në shtetet e Bashkimit Europian për shkak të kufizimeve të vendosura në kuadër të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Drejtuesit e TIA presin që normaliteti i para krizës të kthehet vetëm nga viti 2024.

Artikulli i mëparshëmItalianët votuan për një rregull të ri, Juventusi kërcënohet me përjashtim nga kampionati
Artikulli i radhësGjallërohet transporti në mars, po pasagjerët e ajrit dhe detit ende me rënie të fortë