Pispili me spinaq dhe gjizë – cili është kombinimi perfekt

0

Peta e misrit, e cila njihet ndryshe si lakror me miell misri apo edhe pispili është një nga ushqimet më të shijshme tradicionale në Shqipëri

Kjo është një recetë fantastike, e shijshme dhe mbi të gjitha një nga traditat më të veçanta të kuzhinës shqiptare.

Mielli i misrit, një nga përbërësit kryesorë të këtij lakrori është përdorur prej shekujsh në vend për të zëvëndësuar miellin e bardhë.

Për më tepër, ky miell është përdorur në shumë gatime tradicionale siç është edhe buka e misrit, e njohur për ndjesinë e ngrohtësisë që ajo përcjell.

Recetat e petës së misrit janë të larmishme. Përbërësit e saj janë të thjeshtë dhe gjenden lehtësisht në kuzhinën e çdo amvise.

E mira e kësaj pete është se ajo mund të gatuhet ose plotësohet me barishte dhe perime të ndryshme siç është spinaqi, preshi, barishtet e qepëve, kungulli, gjiza e shumë të tjerë.

Në secilën prej alternativave, peta e misrit i njohur ndryshe edhe si lakror me miell misri është një gatim i shijshëm që të ngop me shije dhe lumturi.

Kmbinimi perfekt për t’i dhënë akoma dhe më shumë shije recetës, është shoqërimi i pispilisë me kos të freskët shtëpie ose dhallë.

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë e të lehtë të sugjeruar nga AgroWeb.org për petën e misrit me spinaq.

Si Ta Përgatisim Krejt Lehtë në Shtëpi 

Përbërësit:

Për petën:

250 gramë miell misri

4 kokrra vezë

Një filxhan çaji gjizë

3 gota qumësht me yndyrë

4 lugë vaj

500 gr spinaq

Gjysëm lugë çaji me kripë

Përbërës shtesë për lyerjen e petës

1 vezë

Gjysëm gote qumësht

2 lugë vaj ulliri ose gjalpë

Përgatitja 

Merrni spinaqin, pastrojeni dhe prijeni me thikë. Sipinqin e grirë ruajeni në një enë ndërkohë që përgatisni mbushjen e petës.

Merrni një enë të thellë dhe shtoni katër kokrra vezë me katër lugë vaj ulliri.

Rrihini mirë deri sa të formohet një masë kremoze.

Më pas shtoni gjizën dhe tre gotat e qumështit. Vazhdoni përzierjen me një lugë druri.

Shtoni spinaqin e grirë dhe përzijeni sërish derisa përbërësit të lidhen me njëri tjetrin.

Lyejeni tepsinë me pak vaj dhe me kripë.

Hidhni gjysmën e miellit (125 gramë) duke formuar një shtresë të njëtrajtshme.

Spërkateni shtresën e miellit të misrit me dy lugë vaj ulliri dhe mbi të, hidhni masën e përgatitur me spinaq, gjizë, qumësht dhe vezë.

Shpërndajeni mirë në të gjithë tepsinë dhe mbi të shtoni miellin e mbetur të misrit.

Shtresat e poshtme dhe të sipërme të miellit të misrit duhet të jenë jo më shumë se 1 centimetër.

Në enën e boshatisur, hidhni  një kokërr vezë, gjysëm gote qumësht, një lugë vaj ulliri ose gjalpë.

Rrihini së bashku dhe me masën e krijuar lyejeni të gjithë sipërfaqen e petës.

Sipas preferencës mund të shtoni edhe pak gjalpë sipër petës.

Futeni tepsinë në furrë dhe piqeni petën për 40 minuta derisa sipërfaqja e saj të ketë marrë një ngjyrë të kuqërremtë./AgroWeb.org

Artikulli i mëparshëmAfatet e merkatos do të ndryshojë: Kur u përfundojnë kontratat lojtarëve të Barcelonës?
Artikulli i radhësGreqia ka gati planin tre pikësh për rinisjen e turizmit