Konspiracionisti Alfred Cako nuk beson se kryeministri Rama ka marrë fitore të pastër në zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas tij, Partia Socialiste nuk ka fituar.
“Nëse do të ishte e djathta në Amerikë, pra do ishte Donald Trump, kryeministri Rama do ishte në opozitë tani. Nuk mund të përfytyrohet një qeverisje 8-vjeçare që ka shkaktuar prishjen e qindra shtëpive dhe konflikte me njerëzit, pensionet nuk i rriti e shumë skandale të tjera të fitojë sërish Rama duket e pabesueshme. Ai nuk ka pasur më shumë se 68 mandate. Fitorja e tij është e cunguar.
Për mendimin tim Partia Socialiste nuk ka fituar. Ajo i ka cunguar zgjedhjet dhe ka marrë katër deri në pesë mandate më shumë. Në shumë vende ku ai ka marrë fitoren nga një diferencë shumë e vogël, aty janë cunguar zgjedhjet”, tha Cako për Top Channel.