Si e “rrëmbeu” KGB-ja dhe Bjellorusia avionin e Ryanair për të arrestuar gazetarin 26-vjeçar

0

Liderët e Bashkimit Europian po kërcënojnë Bjellorusinë me sanksione, për shkak të devijimit të detyruar dhe uljes së një avioni të kompanisë Ryanair në Minsk, në të cilin gjendej një gazetar i njogur opozitar.

Autoritetet bjelloruse kanë udhëruar një avion ushtarak për të ndjekur dhe detyruar të ulej aeroplanin, i cili po mbërrinte për në Vilnius pasi u nis nga Athina më 23 maj, por u ul në mënyrë emergjente pasi autoritet bjelloruse dhanë një alarm të rremë për bombë.

Kur aeroplani është ulur në Minsk, policia ka ndaluar Raman Pratasevich, 26-vjeç, aktivist opozitar dhe gazetar, i cili përballet me akuza në Bjellorusi, për të cilat mund të mbetet 15 vjet në burg.

Drejtori i Përgjithshëm i Ryanair ka thënë se ai beson se agjentët e KGB-së Bjelloruse po udhëtonin në aeroplan, ndërsa udhëheqësit e BE-së u përgatitën të takoheshin për të diskutuar se çfarë veprimesh do të merrnin kundër Bjellorusisë.

Ata e kanë quajtur uljen e detyrueshme të avionit një rrëmbim dhe veprim të “piraterisë ajrore”.

Në një intervistë, kreu i Ryanair, Michael O’Leary, tha se “duket se qëllimi i autoriteteve ishte të arrestonin një gazetar dhe shokun me të cilin po udhëtonte… ne besojmë se kishte disa agjentë të KGB në avion dhe në aeroport gjithashtu”.

Vërejtjet e O’Leary ishin konfirmimi i parë zyrtar i raporteve se katër pasagjerë të tjerë ishin zbritur në Minsk pas uljes emergjente, duke nxitur spekulimet se Protasevich po ndiqej nga shërbimet e sigurisë ruse para se aeroplani të detyrohej të ulej. O’Leary tha se ai besonte se ishte hera e parë që një incident i tillë kishte ndodhur me një kompani ajrore europiane.

Të hënën, u zbulua se Sapega, një qytetar rus që studion në Universitetin Evropian të Shkencave (EHU) në Lituani, u detyrua të largohej nga avioni së bashku me Protasevich, të cilin autoritetet Bjelloruse e kanë akuzuar për nxitjen e protestave masive vitin e kaluar kundër presidentit, Alexander Lukashenko.

Disa prej liderëve të BE-së kanë bërë thirrje për sanksione të reja kundër udhëheqësit autoritar, i cili ka shtypur disidentët që prej zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në fund të gushtit të vitit të kaluar.

“Gjatë kryerjes së këtij akti detyrues, autoritetet bjelloruse kanë rrezikuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit”, ka thënë shefi i Politikës së Jashtme ë BE-së, Josep Borrell, në një deklaratë në emër të bllokut. “Kjo është një tjetër përpjekje e autoriteteve bjelloruse për të heshtur zërat opozitarë. Ne bëjmë thirrje për lirim të menjëhershëm të Pratasevich,” ka shtuar ai.

Një zyrtar i lartë i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti ka thënë për mediat se sanksionet mund të përfshijnë pezullimin e fluturimeve të kompanive europiane mbi Bjellorusi, ndalimin e kompanisë ajrore të shtetit bjellorus Belavia që të ulet në aeroportet e BE-së si dhe të pezullojë udhëtimet transit nga Bjellorusia në BE.

Agjencia shtetërore e lajmeve bjelloruse BeITA ka raportuar se Lukashenko ka urdhëruar personalisht që aeroplani ushtarak MiG-29 të detyrojë avionin që të ulet në Minsk, i cili i ka i komunikuar pilotit të aeroplanit të Ryanair se kishte dyshime për bombë.

Zyrtarët kanë thënë më vonë se në aeroplan nuk janë gjetur lëndë shpërthyese. Ryanair ka thënë se aeroplani ka arritur në mënyrë të sigurt në Vilnus pas disa orëve vonesë.

Vendndodhja e dy të ndaluarve si dhe të dashurës së gazetarit nuk është bërë e qartë, mirëpo presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda ka thënë në një konferencë për media se vajza që ka shoqëruar gazetarin nuk është kthyer në fluturimin nga Minsku në Vilnus.

Letonia dhe Lituania thanë që hapësira ajrore mbi Bjellorusinë duhet të konsiderohet e pasigurt dhe ministri i jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, tha se duhet të ndalohen të gjitha fluturimet ndërkombëtare mbi Bjellorusi. Policia lituaneze tha se kishte filluar një hetim paraprak për “zhdukjen e detyruar” të gazetarit.

Të Dielën në mbrëmje, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha se SHBA po kërkonte lirimin e menjëhershëm të Protasevich.

“Ky akt tronditës i kryer nga regjimi i Lukashenkës rrezikoi jetën e më shumë se 120 pasagjerëve, përfshirë qytetarë amerikanë”, tha ai në  një deklaratë. “Raportet fillestare që sugjerojnë përfshirjen e shërbimeve të sigurisë Bjelloruse dhe përdorimin e avionëve ushtarakë Bjellorusë për të shoqëruar avionin janë thellësisht shqetësuese dhe kërkojnë hetim të plotë.”

“Sjellja joligjore e regjimit në Bjellorusi do të ketë pasoja. Ata që janë përgjegjës për rrëmbim të aeroplanit duhet të sanksionohen”, ka thënë nga ana tjetër shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, përmes një postimi në Twitter.(SI)

Artikulli i mëparshëmKina po ndërton një kryeqytet të ri për Egjiptin
Artikulli i radhësTurqia në sulm: Greqia po provokon dhe saboton përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet