Autoritarizmi i Ramës dhe rreziku i kritikës nihiliste ndaj tij

0

Nga Blendi Kajsiu

E lexova me vëmendje replikën e Andi Bushatit jo vetëm se shpreh shqetësime të rëndësishme, por edhe sepse e respektoj mendimin dhe integritetin e tij mediatik, edhe pse nuk bie dakord me të në disa pika. Argumenti kryesor i Bushatit është se Rama ka instaluar një regjim autoritar dhe jo diktatorial në Shqipëri. Evidenca që ai ofron për të argumentuar këtë është reduktimi i lirisë mediatike, kontrolli i të gjitha pushteteve, si dhe kapja e sistemit të drejtësisë. Sipas Bushatit, “një regjim ku udhëheqësit politikë nuk i nënshtrohen kontrollit nga pushtetet e tjera, qoftë ai i drejtësisë, apo qoftë ai mediatik, nuk është veçse autokratik”.

Është e vërtete që niveli i demokracisë nën qeverisjen Rama, por edhe më parë, ka një tendencë shqetësuese përkeqësimi, një trend që e shohim edhe në nivel global. Sipas “Freedom House”, nëse mesatarja e demokracisë shqiptare gjatë viteve 2005-2008 ishte 4.19, në 4 vitet e fundit të qeverisjes Rama demokracia ka rënë në nivelin 3.84.

Megjithatë, po sipas “Freedom House”, Shqipëria sot nuk klasifikohet as si sistem autoritar gjysmë i konsoliduar (semi consolidated authoritarian regime) dhe aq më pak si sistem autoritar i konsoliduar (consolidated authoritarian regime). Shqipëria sot klasifikohet si demokraci hibride ose në tranzicion. Natyrisht kjo nuk do të thotë se vendi nuk ka mjaft probleme themelore me demokracinë. Aq më pak do të thotë se nesër nuk mund të rrëshqasim në një sistem autoritar.

Arsyeja se përse Bushati e klasifikon sistemin tonë politik si autoritar buron nga fakti sepse ai ngatërron autoritarizmin e Ramës me autoritarizmin e sistemit në përgjithësi, duke e reduktuar tërë sistemin tonë politik, ekonomik dhe mediatik te Edi Rama dhe vullneti i tij personal. Që Rama është një lider autoritar si në parti edhe në qeveri është diçka që e besoj dhe e kam thënë hapur. Por të pasurit e një lideri autoritar nuk do të thotë që sistemi politik është automatikisht autoritar. Nuk duhet ngatërruar individi me sistemin. Donald Trump ishte një lider autoritar jashtë kontrollit të medias dhe sistemit të drejtësisë amerikane. Nëpërmjet kontrollit total të Partisë Republikane kontrollonte edhe Kongresin edhe Senatin.

Madje arriti deri aty sa të argumentonte që Presidenti ishte mbi ligjin. Ama kjo nuk e transformoi SHBA-në në një sistem autoritar. Gabimi buron nga fakti se përkufizimi i sistemit autoritar që bën Bushati është i pjesshëm, ai fokusohet vetëm te përqendrimi dhe kapja e pushteteve te një lider (që Rama e përmbush). Ama sipas Enciklopedisë Britanike, një tjetër element themelor i një regjimi autoritar është mungesa apo kufizimi i opozitës dhe e mundësisë që pushteti të përmbyset me votë.

Ndaj këtu duhet patjetër të merremi me opozitën, jo për t’i bërë mbrojtje me spond pushtetit, por sepse ekzistenca dhe liria e opozitës përbën një element themelor në përkufizimin ose jo të një regjimi si autoritar. Sipas Bushatit, regjimi aktual nuk mund të përmbyset me votë, sepse Basha dhe Meta nuk e arritën këtë gjë si pasojë e kasaphanës apo masakrës elektorale.

Dhe këtu ndahemi me Bushatin, sepse unë mendoj që është krejtësisht e mundshme që Rama të rrëzohet me votë dhe se opozita kryesore (PD) në Shqipëri ka hapësirën e mjaftueshme mediatike, financiare dhe politike për të kryer fushatë elektorale dhe aktivitetin e saj në përgjithësi. Kjo nuk do të thotë se zgjedhjet nuk patën probleme, që nga blerja e votës, përfshirja e elementëve kriminal, deri te shkelja e ligjit me tenderimet dhe paratë publike.

Ama të gjitha këto, në mendimin tim, nuk ndikuan aq sa për të transformuar vullnetin e pakicës në shumicë. Këtë e vërtetojmë me dy fakte të thjeshta dhe të gjithëpranuara. Së pari, PD-ja humbi në qytetin e Tiranës, kampioni më përfaqësues i Shqipërisë, ku të gjitha fenomenet që denoncoi, që nga blerja e votës dhe klientelizmi, deri te paratë e tërmetit dhe krimi i organizuar janë më pak prezente. Në fakt, në rang vendi PD-ja fitoi më shumë në ato hapësira ku prezenca e blerjes së votës dhe e klientelizmit, si pasojë e varfërisë, është me e lartë dhe humbi në qendrat urbane ku këto fenomene, edhe pse prezente, janë më të pakta. Nëse blerja, klientelizmi dhe krimi ishin faktorët përcaktues, atëherë harta elektorale do të ishte shumë ndryshe. Së dyti, PD-ja hyri në garë për të dalë parti e dytë.

Nëse Rama deklaronte hapur se PS-ja do dilte parti e parë me 75 apo 76 mandate, Basha kurrë nuk e bënte këtë. Ai thoshte “ne do të fitojmë”, por kurrë nuk deklaronte se PD-ja do të marrë më shumë vota apo mandate se PS-ja. Në fakt, asnjë nga analistët apo intelektualët pranë opozitës nuk e artikulonte dhe nuk e besonte këtë ide. Sipas shumë prej tyre, ekzistuaka një “konstante historike” që e ka dënuar PD-në të jetë përjetësisht parti e dytë. Ndaj, nga Basha deri tek analistët më pranë opozitës askush nuk ka deklaruar apo argumentuar që në zgjedhjet e fundit PD-ja mori më shumë vota apo mandate se PS-ja.

PD-ja jo vetëm nuk doli parti e parë në zgjedhje, ajo as nuk e synoi këtë, ndaj bëri koalicion nga Duka te Mediu dhe Meta. Por nëse pranojmë këtë fakt, pra se në zgjedhje PD-ja ka dalë e dyta, pranojmë humbjen e zgjedhjeve prej saj. Në një sistem bipartiak si ky yni, gjithmonë qeveris partia e parë. Nuk mund të pranosh që je parti e dytë në një garë me dy parti dhe njëkohësisht të pretendosh se të vodhën zgjedhjet.

Aq më tepër kur diferenca me partinë e parë është tejet e madhe. Nëse pranojmë logjikën e mësipërme, zgjedhjet më shumë se u vodhën u humbën nga PD-ja, për arsye që nuk mund t’u futemi këtu. Por nëse Rama mund të rrëzohet me zgjedhje, atëherë nuk jemi në një sistem autoritar.

Në rastin konkret, unë nuk di ndonjë lider të opozitës (PD) të vrarë apo të arrestuar, ndonjë miting të opozitës që nuk është lejuar nga pushteti apo ndonjë censurë mediatike apo financiare që i është bërë opozitës PDLSI para apo gjatë fushatës.

Të gjitha këto ndodhin në sisteme autoritare. Natyrisht kjo nuk do të thotë aspak se zgjedhjet nuk patën probleme që duhen adresuar. Ama është e vështirë të flasësh për “masakër” apo “kasaphanë” elektorale, siç bën Basha, për të mbajtur PD-në. Këtu Bushati me siguri do të më kundërshtojë me skandalin e vjedhjes së të dhënave personale, që sipas tij, “nuk mund të ndodhte në një vend minimalisht demokratik”.

Natyrisht që skandali ish shumë i shëmtuar dhe ndaj besoj se i kushtoi shumë më tepër vota PS-së sesa PD-së. Por diçka e ngjashme ndodhi në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016 në SHBA, një vend minimalisht demokratik.

Quhet skandali i “Cambridge Analitica”, një firmë private e fushatës së Donald Trump që bleu/vodhi mbi 86 milionë profile private të votuesve amerikanë nga “Facebook”. Dhe të dhënat që ka “Facebook” janë shumë më intime dhe të detajuara sesa ato të “e-Albania”. Kjo nuk justifikon skandalin, por nuk mund të shohim çdo shkelje të kodit apo procesit zgjedhor si evidencë se jemi në një sistem autoritar.

Përndryshe do të na duhej të deklaronim sistem autoritar vende si SHBA-ja, ku zgjedhësve të opozitës (Partisë Demokratike) në zgjedhjet e fundit presidenciale u është dashur të presin 8 orë në radhë për të votuar, janë hequr nga listat e votuesve ose iu është mohuar e drejta për të votuar me postë nga një drejtor poste që ishte mik personal dhe donator i Presidentit Trump.

Pa përmendur lekun e hedhur nga miliarderët dhe fenomene si gerrymandering (manipulimi i distrikteve elektorale) që i garanton Partisë Republikane fitoren e shumë mandateve në Kongres. Identifikimi i sistemit tonë politik me autoritarizmin injoron problemet themelore me të cilat përballet si media, edhe politika jonë. Kështu, problem themelor i medias sot nuk është censura, por mungesa e besueshmërisë.

Dhe kjo ka të bëjë shumë më pak me autoritarizmin sesa me strukturën e pronësisë. Mediat janë në pronësi të interesave ekonomike që i përdorin ato herë si mburojë dhe herë si pistoletë si ndaj pozitës, edhe ndaj opozitës.

Ato janë aq të instrumentalizuara saqë sapo publikojnë një skandal pyetja e parë që bëhet në publik është kë po godasin dhe përse? Instrumentalizimi i mediave për interesa të ngushta ekonomike të pronarit ka prodhuar si fragmentizimin, edhe mungesën e gazetarisë investigative. Çdo aktor ekonomik me një farë peshe blen apo krijon një media.

Mediat “investojnë” te politikanët, herë majtas, herë djathtas dhe herë në të dyja krahët. Kjo bën që shoqëria jonë të ketë më shumë media për frymë se ndoshta shumë shoqëri me demokraci të konsoliduar. Për pasojë, në hapësirën tonë mediatike ka një kakofoni dhe shumësi të vërtetash që e trullos qytetarin, duke e fshehur më shumë se zbuluar realitetin.

Është po ky instrumentalizim i medias për interesa ekonomike që kufizon edhe gazetarinë investigative. Kjo lloj gazetarie kërkon burime të bollshme financiare, që në shumicën e rasteve pronarët nuk i kanë, sepse mediat dalin me humbje. Ndërkohë që investigimi ndal aty ku i intereson pronarit dhe jo tek e vërteta. Natyrisht, investigimi mungon edhe sepse ka censurë nga pushteti dhe ndonjëherë edhe nga opozita. Ama unë nuk di ndonjë skandal madhor në qeverisjen Rama që nuk është mbuluar dhe zbuluar në media, përfshirë edhe rastin e Teatrit Kombëtar që Bushati e përmend si shembull censure.

Madje pak para se të publikohej replika e Bushatit pashë një emision mjaft të mirë të mikut tonë Neritan Sejamini në “Euronews”, që tregonte të gjithë manipulimin ligjor që u bë nga qeveria Rama për të shembur teatrin. Fakti që as vetë Bushati nuk e kish parë këtë emision vërteton efektin e fragmentimit dhe kakofonisë mediatike. Pra, goditja më e madhe që Rama i ka bërë medias është kapja dhe injorimi më shumë sesa censura. Por kapja nuk është thjesht produkt i autoritarizmit të Ramës sa pasojë e strukturës mediatike të pronësisë dhe instrumentalizimit që i bëhet asaj nga pronarët.

Nuk është thjesht gatishmëria e Ramës për t’i blerë mediat, është gjithashtu nxitimi i tyre për t’u shitur. Dhe në fakt ky nuk është një problem thjesht shqiptar, ndonëse te ne ndodh në mënyrë më banale. Kapja e mediave nga interesa ekonomike ka ndodhur prej kohësh në SHBA dhe në vende të tjera demokratike, ku mediat janë blerë nga korporata të mëdha. Dhe kjo ka prodhuar mungesën e besueshmërisë së tyre te popullata. Nga aty del shprehja e famshme “fake news” e Trumpit për mediat. Ashtu sikurse mediat, edhe problemi i krimit të organizuar dhe i pastrimit të parasë janë probleme globale më shumë sesa të autoritarizmit shqiptar.

Nuk mund të kuptosh se ç’po ndodh me krimin e organizuar në Shqipëri pa kuptuar ç’po ndodh në Barcelonë, Londër apo Holandë, ku ky krim kryen aktivitetin e tij kryesor. Shpesh harrojmë që dy portet kryesore ku futet kokaina në Europë janë Barcelona dhe Roterdami. Dhe kemi të bëjmë me vende që ndryshe nga ne, kanë edhe kapacitetin shtetëror dhe policor për të bërë kontrolle efikase.

E megjithatë askush nuk mendon se kryeministrat e këtyre vendeve drejtojnë trafikun e drogës në Europë. Po kështu, pastrimi i parasë ka të bëjë me lëvizjen e lirë të kapitaleve dhe me parajsat fiskale që ndodhen në Europën Perëndimore. Skandale si ai i Unazës së Madhe ndodhin dhe janë vështirë të zbardhen edhe sepse është e thjeshtë dhe e ligjshme të regjistrosh një kompani në një parajsë fiskale në mënyrë anonime pa e zbardhur kurrë emrin e vërtetë të pronarit. Bankat e Zvicrës janë destinacioni kryesor i parasë së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë, Londra është një nga qytetet kryesore ku oligarkët rusë dhe krimi i organizuar pastron paratë nëpërmjet ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. E megjithatë kur flitet për këto fenomene në Shqipëri, të krijohet përshtypja se jemi ende në komunizëm. Vendi është krejtësisht i izoluar nga bota dhe nën kontrollin e një njeriu të vetëm, Edi Ramës.

Me këtë nuk dua të them se paraja nuk po përqendrohet në pak duar apo se nuk ka oligarkë që po përfitojnë shumicën e tenderëve apo të pronave publike nëpërmjet lidhjes së tyre të shkurtër me Ramën. Por këta nuk janë oligarkët e Ramës, aq sa Rama është i tyre. Në fakt janë të njëjtët që ishin dje dhe që me shumë siguri do të vazhdojnë edhe nesër nëse Basha vjen në pushtet.

Në këtë aspekt, sistemi politik është i kapur sa nga PS-ja, aq edhe nga PD-ja dhe vështirëson daljen e forcave të reja politike si Vetëvendosja, votat e së cilës u vodhën me marrëveshje mes dy të mëdhenjve. Ndaj është jo vetëm gabim, por i bën edhe një dëm të madh Vetëvendosjes, të përdorësh rastin e saj për të justifikuar alibinë e PD-së rreth “masakrës” elektorale. Ndonëse unë e kuptoj dhe e respektoj tendencën e Bushatit dhe analistëve të tjerë për të qenë kritikë, është e rëndësishme që kritika të mos transformohet në nihilizëm, sepse humbet forcën dhe arsyen e saj, që është përmirësimi i realitetit ku jetojmë.

E kuptoj shqetësimin e tyre me “dështimin” e Reformës në Drejtësi, edhe pse ajo ende nuk ka përfunduar. Është e vërtetë që “peshqit e mëdhenj” ende nuk bien shpesh në rrjetën e drejtësisë dhe se ajo frikësohet apo mund të përdoret nga pushteti. Megjithatë dënimi i ishKryeprokurorit Adriatik Llalla nga SPAK tregon se jo të gjithë peshqit e mëdhenj shpëtojnë.

Nga ana tjetër, procesi i vetingut, edhe pse jo perfekt, reduktoi në mënyrë të ndjeshme numrin e gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar ose të përfolur për korrupsion. Si i tillë ishte një proces pozitiv dhe që e pastroi dukshëm trupën gjyqësore dhe për herë të parë i vuri një farë kufiri papërgjegjshmërisë shpesh flagrante të sistemit të drejtësisë.

Po kështu, në rastin e zgjedhjeve mjafton të kujtojmë se sot nuk debatojmë më për manipulimin e listave apo vjedhjen e votës në kuti kur flitet për partitë kryesore. Kutitë hapen dhe rinumërohen. Kjo është një arritje sa e madhe, po edhe aq e injoruar. Vetëm që nga zgjedhjet e viti 2013 vota për partitë kryesore te ne është numëruar siç është hedhur në kuti. Në zgjedhjet e vitit 2009 patëm fenomenin e Ruzhdies, ku komisionerët falsifikuan rezultatin.

Pa përmendur zgjedhje të mëparshme ku manipuloheshin listat në mënyrë që votuesit e PD-së të mos gjenin qendrën e tyre të votimit. Ndaj, nëse zgjedhjet e 2021-shit i quajmë “masakër elektorale”, edhe pse nuk ka asnjë evidencë të besueshme që listat janë manipuluar, që PD-së vota i është vjedhur apo keqnumëruar, si do ta quajmë një proces elektoral nesër nëse këto fenomene ndodhin?

Nëse sot flasim për “kasaphanë elektorale” kur partia më e madhe opozitare ka hapësirën mediatike, financiare dhe fizike për të kryer denoncimet dhe aktivitetin e saj, madje shpesh është ajo që i bojkoton mediat dhe jo anasjelltas, çfarë do themi nesër nëse kjo hapësirë reduktohet? Mos vallë do të fillojmë të flasim për “gjenocid” apo “holokaust” elektoral?

Ndaj, është e rëndësishme që fjalët të përdoren me kujdes, se përndryshe humbasin vlerën. Në fakt, ky është një nga problemet themelore të medias sonë, fjala e saj më shumë se e censuruar është e zhvleftësuar. Problemi i analistit sot nuk është censurimi, por injorimi.

Dhe një nga gjërat më të rrezikshme për demokracinë është zhvleftësimi i fjalës apo rënia në nihilizëm. Janë hapat e parë drejt autoritarizmit.

Panorama

Artikulli i mëparshëmPesë rreziqet e mandatit të tretë
Artikulli i radhësBrataj: Do ishte fatale po të hiqeshin të gjitha masat tani