Pandemia e Covid-19 ka dhënë pasoja të rënda në rritjen e fataliteteve në vend në vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Totali i jetëve të humbura në vend arriti në një rekord prej 27.6 mijë personash, me një rritje prej 25.8%, ose gati 5.7 mijë persona më shumë.
Por, të dhënat e detajuara të publikuara nga INSTAT për shkaqet e vdekjeve tregojnë se meshkujt kanë qenë më të goditur nga Covid-19. Vdekjet e burrave u rritën me 31.6% në 2020-n, përkundrejt 19.2% të grave.
Si rrjedhojë, meshkujt përbënin 56.2% të jetëve totale të humbura në 2020-n, nga 53.7% në vitin e mëparshëm.
Në të gjithë botën, pandemia ka rezultuar më vdekshmëri më të lartë te meshkujt. Studimet shkencore kanë treguar se të dy faktorët biologjikë (përgjigjet më të forta imune) dhe faktorët e rrezikut të sjelljes (p.sh. pirja e duhanit dhe zakone të tjera të jetesës) i vënë burrat në një risk më të madh për komplikime shëndetësore dhe vdekje, si pasojë e COVID-19. Burrat e kanë dy herë më të lartë rrezikun e vdekjes nga COVID-19, duke u ndikuar nga sërë hipotezash, nga stilet e jetesës dhe faktit që gratë zakonisht kanë sistem më të fortë imunitar, falë hormoneve femërore, si dhe strukturës së kromozomeve.
Grup-mosha e meshkujve 35-39 vjeç me rritjen më të lartë të fataliteteve
Sipas grup-moshave, pandemia ka dhënë pasoja fatale nga mosha 35 vjeç e lart.
Rritjen më të lartë e kanë shënuar humbjet e jetëve të meshkujve 35-39 vjeç, me rreth 54% më shumë se në vitin 2019, kur nuk kishte pandemi. Rritje dyshifrore konstatohet edhe për grup-moshat nga 40-50 vjeç, por me ritme më të ulëta. Ndërsa grup-mosha mbi 60 vjeç ka një shtim të fataliteteve midis 30-40% (shih grafikun: Rritja e vdekjeve 2020/2019, sipas gjinisë dhe grup-moshave).
Të dhënat e tjera të Eurostat, që i publikoi me bazë vjetore tregojnë se në korrik-dhjetor 2020, kur filloi dhe kulmoi vala e pandemisë, vdekjet e meshkujve në vend u rritën me 69% (nga 5,546 në korrik dhjetor 2019 në 9,360 në korrik dhjetor 2020). Në dy muajt e fundit të 2020-s, kishte dhe javë kur humbjet e jetëve të meshkujve ishin tre herë më të larta se në të njëjtën periudhë në vite normale. P.sh, në javën e 49 u regjistruan 611 vdekje te burrat, tre herë më e lartë se e njëjta periudhë e një vit më parë dhe dy herë më shumë se e grave po në javën e 49 të 2020-s (shiko grafikun: Vdekjet sipas javëve, meshkuj).
Tek femrat, rritja më e lartë e fataliteteve ishte për grup-moshën 70-74 vjeç, me 45%. Ashtu si me meshkujt, vdekshmëri të lartë kishte edhe grup-mosha 35-39 vjeç, me 30%. Nga mosha 40-50 vjeç për femrat nuk u shënua asnjë fatalitet shtesë në 2020-n.
Në të kundërt, në 2020-n, vdekshmëria e të rinjve, nën 30 vjeç ka shënuar rënie të ndjeshme, teksa karantina dhe mbyllja e shkollave vlerësohet se kanë ndikuar pozitivisht në këtë drejtim.
Allkja: Vdekjet në moshat e reja u rritën nga Covid-19, është spekuluar më të dhënat
Tashmë kur kaluar më shumë se një vit nga startimi I epidemisë Covid-19 në Shqipëri diskutimi është mbi statistikat. Mjeku Ilir Allkja tha se, qeveria e retushoi situatën, madje guxoi që nga të zezë ta ngjyrosë atë me rozë.
“Ministrja e Shëndetësisë vetëglorifikohet, ndërsa “ekspertët e komitetit ”certifikojnë “menaxhimin e artë”. Kryeministri kritikon seriozisht vendet më të suksesshme në menaxhimin e pandemisë. Por ku nuk retushon dot qeveria? Vdekjet, doemos nuk gënjen dot.
Shifrat e vdekjeve që raporton INSTAT janë akuza e drejtpërdrejtë se epidemia e covid-19 në Shqipëri ka bërë kërdinë. Nga qeveria janë raportuar zyrtarisht rreth 131 mijë pacientë të prekur nga covid-19, ndërsa është ë sigurte prekur realisht më shumë se sa 2 milionë shqiptarë. Nga qeveria janë raportuar rreth 2,400 vdekje por në popullatë vetëm nga covid-19 kanë ndodhur mbi 15 mijë vdekje.
“Ekspertët” e qeverisë theken të mbrojnë tezën se vdekjet e shtuara gjatë vitit 2020 kanë ndodhur për shkak të patologjive të tjera. Unë kam një pyetje për këta “ekspertë”: – Si e shpjegoni ju faktin, sipas te dhënave nga INSTAT, që vdekjet ne grup-moshën 35-39 vjeç për vitin 2020 u rriten me 54%. A është shkak Covid-19? Kjo grup moshe realisht është e shëndetshme, dhe është e vështirë të gjesh të sëmurë kronikë në këtë fashë. Në vitin e kaluar e deri tani shqiptarët përjetuan për herë të parë në histori rritjen negative të popullatës, pra atë situatë kur numri i vdekjeve kalon numrin e lindjeve, duke certifikuar panik tek çdo shqiptar se, nën këtë qeveri, shqiptarët janë një popull në zhdukje. Menaxhimi skandaloz, fshehja e të dhënave, paniku i përhapur në mënyrë pingule, nga lart poshtë, duan t’i tregojnë shqiptarëve se jeta nuk vlen para propagandës”, thote dr.Allkja./MONITOR