Bashkimi Europian u ka ndaluar linjave ajrore bjelloruse të përdorin aeroportet europiane e sipas burimeve të gazetasi.al të njëjtën linjë do të mbaje edhe Shqipëria pikërisht tani në prag të sezonit turistik.
Por cili do të jetë roli i këtyre sanksioneve në turizmin shqiptar?
Sipas INSTAT, turistët bjellorusë në Shqipëri zënë një peshë prej 40% të turizmit bregdetar duke zgjedhur kryesisht si destinacione Durrësin edhe Vlorën.
Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike bën me dije se këtë sezon turistik nga data 15 maj deri në datën 15 shtator ishin parashikuar që do të vinin në Shqipëri dy chartera me bjellorusë në javë që përkonin me gati 500 persona.
Sipas llogaritjeve, gjatë harkut kohor të sezonit turistik do të vinin rreth 10 mijë bjellorusë që me sanksionet e reja nuk do të lejohen që të hyjnë në hapësirën tonë ajrore (të paktën me avionëapo linja bjelloruse).
Vitin e kaluar turistët bjellorusë u shprehën se Shqipërinë e shohin si një vend më të sigurt për të pushuar se Bjellorusia dhe se vlerësonin të gjithë bukuritë e natyrës shqiptare.
Sipas Erjon Manes, drejtues i Matias Travel, ky vendim i marrë së fundmi sigurisht që do të ndikojë në sezonin turistik dhe do të cënojë në mënyrë direkte edhe agjencitë turistike që janë të angazhuara për t’i akomoduar turistët nëpër hotele.
“Turistët bjellorusë janë turistë plazhi dhe përgjithësisht janë turistë të rinj. Ata së fundmi kanë nisur që t’i vizitojnë plazhet tona dhe t’i vlerësojnë ata. Fakti që këta turistë nuk do të vijnë nënkupton që kjo gjë do të ndikojë edhe në këtë vlerësim që kanë ndaj Shqipërisë e përveç kësaj, sigurisht që do ketë ndikim në ekonomi duke na prekur edhe ne në mënyrë direkte”, thotë Mane.
“Kjo është një tjetër goditje e madhe për ne që vitin e kaluar në mes të gjithë krizës fituam disa para nga turistët bjellorusë të cilët erdhën të parët dhe që kontaktuan me ne ku i drejtuam në hotele dhe atraksione të ndryshme turistike. Ky nuk ishtë fare momenti i duhur për të marrë një vendim të tillë pikërisht tani që sapo ka nisur sezoni turistik dhe shpresat se turizmi do të rikuperohej ishin të mëdha”, thotë ai.
Sipas tij, “pandemia e ka mbërthyer turizmin dhe ne në vend se të përpiqemi t’i japim më shumë mundësi për të marrë vetën këtij të fundit, po bëjmë të kundërtën”.
“Kjo gjë prek jo vetëm agjencinë tonë por edhe agjencitë e tjera turistike sepse rreth 10 mijë turistë nuk janë pak. Jo vetëm për turistët bjellorusë por edhe për të gjithë turistët e rinj ne duhet të hartojmë politika që i nxisin ata për të ardhur edhe më shumë në Shqipëri, gjë që nuk po ndodh tani edhe pse është mbase më shumë e domosdoshme se herët e tjera”, thotë për Gazetën “SI” ai.
Shpresat se turizmi më në fund do të ngrinte krye ishin të mëdha këtë verë, ndërkohë që masat kufizuese janë lehtësuar dhe njerëzit nisën që të bëjnë rezervimet e para. Por ky vendim i BE-së duket se do të ketë efektin domino për turizmin e Shqipërisë dhe agjencitë turistike të cilat do të jenë ende të mbërthyera nga pasojat e pandemisë.
12 qershorin e vitit të kaluar, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi mirëpriti me lule 189 turistë bjellorusë si charteri i parë që erdhi në Shqipëri pas daljes nga karantina por mesa duket këtë sezon turistik nuk do të kemi më të njëjtën panoramë entuziaste.(SI)