“Zonja dhe zotërinj, dita e dytë e vizitës tonë në Kinë na sjell në Wuhan, në qendër të Kinës”.
Kështu e nisi kancelarja gjermane, Angela Merkel, konferencën e saj për shtyp më 7 shtator të vitit 2019 në Wuhan. Pikërisht në Wuhan, aty ku do të niste një nga pandemitë më të rënda që ka përjetuar bota.
Sipas gazetës BILD, në atë kohë shumica e gjermanëve as që kishin dëgjuar për këtë qytet.
Por të dhënat e publikuara së fundmi tregojnë se epidemia kishte nisur që në shtator në Wuhan, edhe pse Kina e ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë të fshehtë këtë gjë.
Merkel mbërriti në Wuhan në krye të një delegacioni të madh me biznesmenë dhe gazetarë. Ajo vizitoi edhe spitalin universitar, që do pranonte pak më vonë mijëra pacientë. Aty u takua me mjekë, infermiere dhe studentë, me të cilët shtrëngoi duart.
Në të njëjtën ditë ajo shkoi në selinë e kompanisë Webasto. Më 27 janar 2020, rasti i parë me korona u shënua pikërisht në filialin e Webasto në Mynih.
Por a udhëtoi Merkel në një zonë të rrezikuar?
Profesori Roland Wiesendanger thotë se rastet e para me virus në Wuhan janë shënuar që në shtator dhe kanë ardhur nga laboratori virologjik. Por ai thotë se shanset që Merkel të ketë pasur kontakt me virusin janë shumë të pakëta.
Një zëdhënës i kancelares tha se në atë kohë nuk kishte asnjë informacion për ndonjë virus.