Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja, ka dhënë dje sinjale, se do të forcohen masat antikorrupsion. Këtë Kraja e bëri të ditur, teksa ka raportuar dje nga Komisioni i Ligjeve, nga ku bëri edhe një bilanc të punës së institucionit që ai drejton. Kreu i SPAK, Arben Kraja, u ndal edhe te përgjimet, duke bërë të ditur se momentalisht prokurorët po asistohen nga efektivë policia dhe ish-OPGJ të Krimeve të Rënda. Por ai bëri të ditur se në gusht bërthama e përgjimeve do të merret nga Byroja e Hetimit. Ai u shpreh se në këtë muaj, BKH do jetë gati dhe pastaj do jenë hetuesit e saj ata që do të kryejnë përgjime. “Për përgjimet procedurale, është krijuar një ambient i veçantë pune dhe është sipas parametrave ligjore, ku oficeret kanë kryer punën e tyre. Përgjimet janë ndjekur nga 10 oficerë. Procedura që ne kemi ndjekur për të realizuar zyrën e përgjimeve, u realizua që në shtator të vitit 2020, kur erdhi pajisja dhe u montua në ambiente tona. Që prej marsit të 2021, zyra është në gjendje pune dhe tashmë përgjimet kryen brenda institucionit”, tha Kraja. Sipas tij, 322 zyrtarë shtetërorë janë nën përgjim nga SPAK për korrupsion. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, nënvizoi se veprat penale që lidhen me korrupsionin zënë edhe pjesën më voluminoze të përgjimeve. Krahas kësaj, Kraja nënvizoi se në javën e parë të gushtit fillojnë punë edhe 28 hetuesit e parë të BKH-së. “Çështjet më të mëdha ku është kërkuar përgjimi janë kryesisht ato çështje që po hetohen për veprën penale të korrupsionit. 538 hetime penale të regjistruara. Kanë përfunduar hetimet për 206 prej tyre. Janë marrë të pandehur 260 persona. Masa e sigurisë arrest me burg, 189 për krim të organizuar, njëri me ndalim jashtë shtetit. Më pas janë çështjet penale për grup i strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Në lidhje me bërthamën komanduese dhe sistemin e përgjimit, 28 hetuesit janë në javën e fundit të trajnimit. Veprat penale të hetuara bashkë me të huajt kanë qenë ato për trafik të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal. Janë kryer edhe ekstradime me shtete të huaja, 43 gjithsej”, tha Kraja.
Kraja flet për personat nën hetim
Kreu i SPAK u shpreh se janë rreth 746 persona, të cilët janë nën hetim, ndërsa bëri me dije edhe numrin e personave që janë hetuar në gjendje të lirë. Kraja vijoi më tej duke thënë, se përveç korrupsionit ka pasur edhe masë sigurimi e marrë ndaj personave për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar. “Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë. Nga personat e hetuar me masa sigurimi, 288 prej tyre janë hetuar me masën “Arrest me burg”, nga të cilat 257 janë ekzekutuar ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurisë “Arrest në mungesë”. Masa e sigurisë “Arrest me burg” për 198 persona është vendosur për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar”, deklaroi Kraja. Sakaq, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja u shpreh se pavarësisht se SPAK ka punuar me 13 prokurorë, ngarkesa e punës sipas Krajës, ka qenë e madhe, madje dhe duke mbyllur çështje të raportuara në zbatimin e Operacionit Forca e Ligjit. Ai theksoi, se pavarësisht ngarkesës, pritet që këtë vit të ketë rezultate të mira. “E kuptoj që pritshmëria është e madhe po duhet të jemi me këmbë në tokë, gjithë ça thashë është bërë nga 13 prokurorë, kurse më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pasur 22 të tillë, me më pak procedime, ne kemi më shumë. Ka qenë periudhë shumë e mbingarkuar, por këtë vit do kemi rezultate më të mira”, tha ai.