Kreu i opozitës, Lulzim Basha reagoi pas ndarjes nga jeta të arkitektit Maks Velo. Basha thotë se Maks Velo do të mbetet një nga shembujt më spikatës të disidencës antikomuniste shqiptare.
MESAZHI I BASHES
Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Maks Velos, artistit shumëdimensional, kritikut dhe qytetarit të madh. Me angazhimin e tij të hershëm në modernizimin e shoqërisë sonë, Maks Velo do të mbetet një nga shembujt më spikatës të disidencës antikomuniste shqiptare.
Maks Velo ishte dhe do të mbetet një misionar i pakompromis me artin dhe desidencën e tij të mishëruar në telajo, arkitekturë dhe në libra. Ai nuk rreshti kurrë së denoncuari çdo përpjekje për restaurimin e pushtetit të nomenklaturës.
Largimi i Maksit lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë tonë. Por thesari artistik dhe qytetar i veprave të tij do të jetë gjithmonë frymëzim për të rinjtë dhe gur i çmuar themeli për artin modern shqiptar.
I shpreh ngushëllimet e mia familjes së Maks Velos në këtë ditë të dhimbshme për ta dhe gjithë shqiptarët që humbën intelektualin e shquar dhe desidentin e paepur ndaj çdo despotizmi.