Ankimimi i ONM për Elisabeta Imerajn/ Mesazhi “bombë” i Yuri Kim : Të shohim a do shmanget apo do japë përgjigje drejt

0

Ambasadorja Yuri Kim reagoi lidhur me rekomandimin e ONM, drejtuar Komisionerit Publik për të ankimuar vendimin e KPK për kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj.

“Në përputhje me rolin e tyre kushtetues në procesin e vetingut, vëzhguesit ndërkombëtarë dje u rekomanduan Komisionerëve Publikë që të apelojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për një çështje të rëndësishme.” –shkruan Ambasadorja Kim, ndërsa shton se duhet ndjekur me kujdes se cdo të ndodhë më procesin.

“Të gjithë duhet të ndjekim nga afër se çfarë do ndodhë më pas. Përgjigjja do të jetë shfaqje guximi & integriteti në dhënien e drejtësisë apo, siç kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, shmangie e përpjekjeve duke sulmuar procesin e vetingut & përfolur vëzhguesit ndërkombëtarë?” thekson znj. Kim ndër të tjera. Një apel të fundit ambasadorja amerikane ia rezervon mediave.

“A do t’i shërbejnë mediat publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër? Është koha për të treguar guxim dhe integritet. Koha për të thyer modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë. Koha që Shqipëria të ecë përpara, hap pas hapi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ju” përfundon ambasadorja Kim reagimin e saj.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i rekomandoi Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës. Rekomandimi i ONM-së vjen pasi KPK publikoi vendimin e zbardhur për Elisabeta Imerajn, e cila ishte vlerësuar pozitivisht në të tria kriteret. Por ekspertët ndërkombëtar nga ana e tyre rekomandojnë që ankimimi duhet gjithashtu të përfshijë të tria kriteret.

Artikulli i mëparshëmVettingu dhe dritëhijet e tij/ Konflikti i prokurores Elisabeta Imeraj me ndërkombëtarët
Artikulli i radhësVarianti Delta në 92 vende/ OBSH: Vaksinat janë të efektshme edhe ndaj tij