Edhe pse vetëm 8 raste të reja në ditën e fundit, Edi Rama ka vendosur që të mbyllë sërish zemrën ekonomike të Shqipërisë.
Ndërsa nga 11 maji, thuajse në të gjithë vendin do të ketë lëvizje të lirë, pa autorizime dhe me orare të zgjatura, zemra ekonomike e vendit do të vazhdojë të ketë kufizime të njejtë.
Bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, që përbëjnë dhe pjesën kryesore të popullsisë dhe burimit të të ardhurave në Shqipëri, do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, pasi do të vazhdojë i njëjti regjim oraresh lëvizjeje dhe rregullash të qarkullimit si deri tani.
Që nga e marta, ku u evidentuan 17 raste të reja me koronavirus, çdo ditë tjetër numri i rasteve ka ardhur duke rënë dhe sot janë raportuar vetëm 8 raste.
E pikërisht numri i pakët i rasteve, duket se nuk i justifikon më kufizimet e vendosura në zonën më të rëndësishme të Shqipërisë.
Zonat që do të vazhdojnë të jenë të mbyllura kanë edhe numrim më të marr të banorëve dhe nëse do të vazhdohet me këtë llogjikë, rastet mund të vazhdojnë edhe për javë të tëra, por a duhet që të mbahet e mbyllur zemra ekonomike e vendit, nëse evidentohet edhe 1 rast i vetëm dhe të goditet edhe më tej ekonomia e brishtë shqiptare?
Kësaj pyetje duhet ti japë përgjigje Komiteti i Ekspertëve që de fakto drejtohet nga Edi Rama.