Zëvendëskryeministri Erjon Braçe iu përgjigj pyetjes së gazetares Marsela Karapanço, në emisionin “Frontline”, nëse do të jetë kryetar Kuvendi në sesionin e ri parlamentar në shtator.
Zv.kryeministri Braçe nuk ka një përgjigje të qartë nëse do ta drejtojë ose jo këtë institucion, por tha prerë se nuk ka kërkuar kurrë për karrige.
Braçe deklaroi se është e sigurt që në shtator do të ketë vendin e tij në Parlament, pasi është votuar nga qytetarët, ndërsa shtoi se në gjithë jetën e tij politike ka kërkuar vetëm punë.
“E sigurt është që unë në shtator kam një kontratë pune me këtë zonë dhe kam një vend në Parlamentin e Shqipërisë, çështja e qeverisë është gjë tjetër, është zgjedhje e mandatarit Edi Rama. Pra, e them që është e sigurt që kam vendin tim në Parlament nga vota e qytetarëve. E sigurt është gjithashtu që unë kurrë nuk kam kërkuar karrige, kam kërkuar punë. Nëse dikush ka nevojë për punën time, unë këtu jam. Gjithë jetën time kam kërkuar punë, jo karrige. Nëse flet për karrige, nuk kam përgjigje, nuk më intereson fare karrigia. Parlamenti në shtator do të jetë një histori tjetër, e re, jo krejt e re, sepse për fat të keq do të ketë fytyra tmerrësisht të vjetra, të konsumuara, të damkosura dhe që nuk duhet të jenë fare aty, siç të tjerë kanë bërë një zgjedhje dhe janë larguar. Mendoj se parlamenti në shtator e ka gjithë mundësinë, se përtej infeksionit që do jetë aty brenda, të riformatohet, të jetë një institucion që ju përket qytetarëve dhe jo 140 deputetëve që janë aty brenda. E ka gjithë mundësinë që ky parlament të jetë etik, konstruktiv”, tha Braçe.