Reportazhi i BIRN/ Rruga e Arbërit hapet me shumë bujë dhe akoma me më shumë arna

0

Qytetarët e Shqipërisë veri-lindore patën mundësinë gjatë festave të nëntorit të përdorin për herë të parë një rrugë të re lidh Tiranën me Dibrën, por ‘veprat e artit’ të projektit mbeten të papërfunduara. Qeveria thotë se punimet duhet të përfundojnë në prill 2022, “sipas kontratës”.

Me 29 nëntor, kryeministri Edi Rama i rrethuar nga fëmijë me veshje popullore dhe flamuj kombëtar dhe i shoqëruar nga Mininstrja e Transportit Belinda Balluku, përuroi hapjen ‘provizore’ të qarkullimit në rrugën e Arbërit.

Në videon e transmetuar në kanalin propagandistik të kryeministrit në rrjetin social ‘Facebook’, Rama u shfaq hijerëndë dhe fjalëpak për një ngjarje festive, ndërkohë që ministrja Ballaku në rolin e zëdhënëses shpjegoi se projekti kishte hasur në probleme gjeologjike.

“Siç jeni në dijeni problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit të Murrizit – tuneli më i gjatë dhe më kompleks i kësaj vepre me 3.8 kilometra, një tunel ku ne kemi hasur në shtresa argjilore dhe burime ujore të cilat e shkrijnë këtë argjil,” tha Balluku.

“Siç e keni parë dhe gjatë kalimit tuaj, pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një bajpasi që është i gjatë 8.8 kilometra,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se është një bajpas provizor.

Ndërtimi i rrugës 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare për kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018 dhe kap një vlerë prej 40 miliardë lekë (330 milionë euro). Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta.

Dy ditë pas përurimit provizor qeveritar, gazetarët e BIRN udhëtuan drejt Dibrës nëpërmjet rrugës së re. Shumë prej banorëve, fshatrat e të cilëve shtrihen përgjatë gjurmës së rrugës së Arbërit, u shprehën të lumutur që më në fund rruga automobiliste kishe mbërritur pranë. Disa patën dhe ankesa, për sa i përket lidhjes së saj me rrugët e fshatrave.

Por mbi të gjitha, BIRN konstatoi se problemet e punimeve nuk janë vetëm ‘argjilore’ dhe as kufizohen vetëm në tunelin e Qafës së Murrizit – vepra kryesore e projektit. Përveç tunelit të Qafës së Murrizit nuk janë hapur tunelet e Qafës së Buallit dhe as Ura e Vashës, ndërkohë që traseja nga Shkalla e Tujanit deri tek gryka e Lumit të Tiranës është shtruar pjesërisht.

Shtegu historik

Një urë lidhëse e prerë nga rruga e re e Arbrit: Foto: Xhemali Moku/ Birn

Rruga e Arbërit shtrihet mbi një shteg historik që lidh Tiranën me Dibrën dhe brendësinë e Ballkanit, përmes një trajektoreje të shkurtër prej pak më shumë se 100 kilometrash.

Në kohët e lashta ky shteg është përdorur më së shumti për transport me mushka dhe vetëm gjatë muajve të verës, për shkak se Qafa e Murrizit gjendet në lartësi të mëdha dhe mbulohet nga dëbora për një pjesë të madhe të vitit.

Dritani, një banor i fshatit Xibër Murriz rikujton se kushërinjtë e tij dikur kanë pasur një han në vendin e quajtur Qafë e Murrizit.

“Hani u braktis pasi më vonë vetëm delet kalonin dy herë në vit gjatë shtegtimit,” shpjegoi ai.

Rruga e re automobiliste e ka rritur edhe kontrastin me gjendjen në të cilën jetojnë banorët e zonës, që deri më sot dukshëm ka qenë një nga më të izoluarat dhe më të varfrat e Shqipërisë. Shtëpitë prej guri qindravjeçare nuk kanë marrë riparime për një kohë të gjatë. Ballkonet e tyre prej drurit janë kalbur e nuk janë rinovuar dhe po kështu as trarët e çative.

Me ndërtimin e rrugës së re automobilistike, banorët shpresojnë që qarkullimi i mallrave dhe njerëzve të rigjallërohet. Në fshatin në Guri i Bardhë, në zbritje të qafës së Murrizit në drejtim të Dibrës, banorët i thanë BIRN se ishin të lumtur për mbërritjen e rrugës automobilistike – “për herë të parë nga këto anë”, por u ankuan se rrugët e fshatrave mbeteshin në gjendje të mjeruar.

“Kudo që të ndërtosh rrugë, mirë është,” tha njëri prej tyre, i cili refuzoi të identifikohej me emër. “Por ti mund të shohësh se si gjendja e rrugëve të fshatrave ka mbetur njësoj pavarësisht të gjitha parave të hedhura në rrugë,” u ankua ai.

Tuneli i Murrizit nga ana veriore. Foto: Xhemali Moku/ Birn

Edhe në fshatin Xibër disa nga banorët nuk ishin të lumtur me mënyrën se si ishin ndërtuar rrugët lidhëse nga kompania koncesionare.

“Ankesat lidhen me prerjen e rrugëve të aksesit apo të rrëkeve të ujit dhe çarjen e tokave në mes nga rruga e re,” tha një banor i zonës, i cili shpjegoi se si pasojë kullotën e ka në njërën anë të rrugës dhe shtëpinë në tjetrën, duke ja vështirësuar lëvizjen e bagëtisë.

“Kjo mund të ngjajë gjë e vogël, por këtu te ne kjo është buka,” shtoi ai.

‘Vepra arti’ të papërfunduara

Sipas kontratës koncesioare ndërtimi i rrugës duhet të mbarojë në prill të vitit 2022. Me gjithë përurimin e përkohshëm të saj nga kryeministri, duket se mbetet akoma shumë punë për tu bërë.

BIRN e përshkroi rrugën e hapur të mërkurën më 1 dhjetor. Trafiku ishte i paktë dhe rruga ishte e pastruar nga dëbora që kishte rënë një ditë më parë. Distanca nga Tirana për në qytezën e Klosit, rreth 50 kilometra gjithsej, mund të përshkruhet për një orë por qarkullimi në atë që Ministrja Balluku e titulloi “bajpasi i Murrizit” është shumë e vështirë, me kthesa ku duhet të hyhet me marsh të parë.

Në tërësi, rruga mund duket gjysmë e përfunduar. Tuneli më i rëndësishëm i saj, tuneli poshtë Qafës së Murrizit, nuk ka përfunduar dhe autoritetet nuk japin një afat se kur mund të përfundojë, por i referohen kontratës, e cila parashikon dorëzimin e saj rreth pesë muaj nga tani. I gjatë 3.8 kilometra ai i është zëvendësuar nga një rrugë e ngushtë malore 8.8 kilometra.

Pyetur nga BIRN, Ministria e Infrastrukturës tha se në këtë projekt janë përfunduar 75% të punimeve fizike ndërsa në tunelin e Murizit janë realizuar 69% të punimeve. Pyetur nëse ka ndonjë vlerësim se kur punimet pritet të mbarojnë, ministria iu referua kontratës.

“Sipas kontratës, punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të përfundojnë në muajin Prill të vitit 2022,” tha ajo.

Në anën tjetër të malit, tunelet dy, tre dhe katër me gjatësi respektive 366, 477 dhe 297 metra, kanë përfunduar ndërsa tuneli pesë dhe gjashtë – të cilët kalojnë nën Qafën e Buallit për të lidhur Klosin me Bulqizën nuk janë hapur për qarkullim.

Tuneli T6 dhe Ura e Vashës në rrugën e Arbrit: Xhemali Moku/ Birn

Po kështu e mbyllur për trafikun është edhe e famshmja Urë e Vashës, e cila sipas Ramës është ura më e lartë në Shqipëri. Rrjedhimisht për të vajtur në Bulqizë duhet të kalohet nga rruga ekzistuese mbi qafën e Buallit.

Përgjatë të gjithë rrugës dallohen pak punëtorë dhe pak mjete pune ndërsa segmenti të cilit Balluku iu referua si “bajpasi” është sakaq një rrugë me asfalt me shumë gropa dhe rrëshqitje, ku pirgje gurësh i sinjalizojnë përdoruesit rrezikun e rënies në humnerë.

Kompania duhet se ka shpenzuar minimumin e mundshëm për t’u përgatitur për hapjen ‘provizore’ të rrugës më 29 nëntor.

Në qafën e Tujanit, një trase rruge e hapur mbi një dekadë më parë dhe e mbetur e paasfaltuar që nga ajo kohë, ishte asfaltuar vetëm në tre të katërtat e rrugës, duke lënë një shirit të paasfaltuar rreth 2 metra të gjerë.

Rruga e re është gjithsesi shumë më e shkurtër se sa ajo ekzistuesja, e cila u ndërtua në vitet ’60 përgjatë luginës së lumit Mat. E gjatë rreth 170 kilometra deri në qytetin e Dibrës në Maqedoninë e Veriut, ajo kërkon minimalisht tre orë. Rruga e re e hapur provizorisht e lidh Tiranën me Dibrën për 100 kilometra duke kursyer 70 kilometra rrugë dhe më shumë se një orë kohë.

Bajpasi i Qafës së Murrizit e dërgon rrugën në lartësinë 1110 metra mbi nivelin e detit dhe i ofron udhëtarit panorama piktoreske me pyje dhe dëborë. /Reporter.al

Rruga Arbrit: Foto: Xhemali Moku/ Birn
Artikulli i mëparshëmBeniadës i ndodh incidenti i papritur brenda shtëpisë së ‘Big Brother VIP’, banorët nxitojnë t’i vijnë në ndihmë (FOTO)
Artikulli i radhësFOTO/ Aeroporti i Vlorës në 1914-1916 dhe sa kushtonin fluturimet drejt Romës, Gjirokastrës e Tiranës