Iranianët që hynë në sistemet shqiptare nuk ndalen. Mbrëmjen e së dielës ata publikuan listën e zgjedhësve. Bëhet fjalë për një databazë prej rreth 741.8 MB. Ajo përmban mijëra emra qytetarësh.
Aktualitet.al e ka siguruar dosjen e plotë. Aty janë të dhënat gjenerale si emri, mbiemri apo dhe datëlindja e qytetarëve. Të përcaktuara janë edhe bashkia që ata i përkasin.
Në disa prej tyre shkruhet se janë pjesë e votuesve në vitin 2015. Në shumë të tjerë nuk përcaktohet. Në faqen e tyre në Telegram, grupi hakerave “Homeland Justice” ka bërë ironi edhe Ramën që kishte deklaruar se “të dhënat e tyre janë të fotomontuara”.
“A besojnë ende politikanët tanë të korruptuar se ne nuk kemi akses në të dhënat thelbësore?!” – shkruajnë iranianët.
Deri tani hakerat iranianë kanë nxjerrë të dhënat e kryeministrit Edi Rama, kreut të SHISH, Helidon Bendo, ish-drejtorit të policisë Gledis Nano. Më pas ata publikuan listat e punonjësve të SHISH si dhe të punonjësve të policisë.