Nga Ola Xama
Kontraktimi i dy anijeve që do të prodhojnë energji në Vlorë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” do të sjellë humbje për buxhetin e KESH. Sot çmimi i energjisë në bursa është më i lirë se kosto e prodhimit të energjisë nga TEC-et e tyre. Praktikisht nuk ia vlen t’i ndezësh!
Por pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë të paguajmë për qiranë dhe kostot e operimit 68 milion dollarë për dy vjet.
Nëse anijet do të ishin kontraktuar gjatë muajve të verës dhe vjeshtës dhe do të ishin në funksion në atë kohë, do të sillnin njëfarë fitimi. Por ato nuk mbërritën atëherë kur na duhej, edhe pse u bë një tender emergjent. KESH kur firmosi kontratën nuk i la afat për datë dorëzimi të tyre, duke zhdukur tërësisht emergjencën e procesit dhe sot 1 vit pas tenderit ato nuk janë akoma në gjendje pune.
Ajo që ngre dyshime se pas kësaj kontrate qëndron një aferë, janë 3 fakte:
– Tec-et, ndryshe nga sa u tha, nuk do të mbeten në pronësi të shtetit, madje KESH do të duhet të presë një policë sigurimi për një vlerë 20 milion USD që kushtojnë anijet. Nëse anijet kushtojnë 20 milion USD, atëherë pse duhet të paguajmë 45 milion USD për qiranë 2-vjeçare të tyre? A do të na dilte më lirë t’i blinim?
– Kompania Excelerate Energy nuk dha asnjë qindarkë të vetën për të blerë anijet. Në 4 Prill 2022 firmosi kontratën me KESH dhe shkon në bankë për të marrë kredi pas dy javësh. Me ato para siguron anijet. Prapë, a do na dilte më lirë të merrnim kredi në vend se të paguajmë interesat e kredive të firmës private? Pra, interesa mbi interesa?
– TEC-i i Vlorës nuk punon prej 9 vitesh sepse nuk i punon sistemi i ftohjes. Teknologjia e tij është me naftë dhe ka kapacitet të njëjtë prodhimi me dy anijet. A do na leverdiste më shumë të rregullonim sistemin e ftohjes që ka një fature financiare më të ulët dhe kohë rregullimi më të shpejtë se të prisnim 1 vit të vinin anijet? Po ashtu një vepër që kemi shpenzuar 110 milion euro për ta ndërtuar, do ta vinim më në fund në operim?