Duke komentuar situatën aktuale në të cilën ndodhet Partia Demokratike, anëtari i kryesisë Roland Bejko theksoi se demokratët mund të ndahen në katër pjesë pas zgjedhjeve të 14 Majit. Këtë deklaratë ai e bëri në një intervistë për Abc News, ku shtoi se Berisha nuk do të vijë më kurrë në pushtet.
“PD është e ndarë në dy pjesë. Por pas zgjedhjeve të 14 Majit, mund ta kemi të parcelizuar në katër pjesë. E treta mund të jetë pjesa e atij grupi që përfaqësohet nga deputetë që nuk janë as me linjën e Berishës dhe as me pjesën zyrtare të PD-së.”, tha Roland Bejko për Abc News.
A mund të flitet për një bashkim?
“Si të flasim për bashkim? Ne jemi ndare sepse siç e ka një shprehje që ra ky mort dhe u pamë. U desh që të shpallej Berisha non grata që dhe ne të kuptonim se ka një fund. Për Berishën ishte një cikël i mbyllur sepse nuk ka çfarë i ofron më politikës shqiptare pasi maksimumin e vet e ka bërë.
Vazhdon me një sigël të vjetër të të bërit politikë dhe ka thirrje alucinante për revolucion që është i pamundur sepse me këtë narrativë mori me vete një pjuesë të mirë të pD-së që shpresonin se pas 6 muajsh do të rrëzonte Ramën, që gjë nuk ka ndodhur dhe s’ka për të ndodhur.
Unë them që të bëhet aktiv grupi jonë që të jetë si shpresë për të marrë fatet e PD-së dhe demokracisë shqiptare. Natyrisht që Berisha do të bëjë ciklin e vet, do të humbasë një palë zgjedhje, ato lokale, më pas të përgjithshme. E majta do të jetë në 2025 por Berisha është e sigurt që s’e merr kurrë pushtetin”, tha Bejko