Kush do ta drejtojë Xhaminë e Namazgjasë? Kjo është pyetja që ka ngritur interes ditët e fundit, pas njoftimit për hapjen zyrtare të saj të enjten. Sipas Komunitetit Mysliman Shqiptar (KMSH), drejtimi i xhamisë do të jetë në duart e një fondacioni të përbashkët, ku në krye të bordit të tij do të jetë myftiu i Tiranës, Gazment Teqja.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të drejtojë gjithashtu edhe bordin e fondacionit të përbashkët që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë,” thuhet në njoftimin zyrtar të KMSH.
Megjithatë, një tjetër version ka dalë në media. CNN Turk, një nga platformat më të mëdha mediatike në Turqi, raportoi se imami Enes Baştür është emëruar për të drejtuar këtë xhami të rëndësishme.
“Presidenti Erdogan do të vizitojë Shqipërinë më 10 tetor dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Xhamisë së Namazgjasë. Enes Baştür, i njohur si imami i parë i Turqisë që recitoi ezanin në vitin 2024, është emëruar si imam i kësaj xhamie,” citon CNN Turk.
Kjo përplasje informacionesh ka ngritur shumë pyetje mbi atë që do të jetë drejtuesi i vërtetë i kësaj xhamie historike, ndërkohë që hapja e saj pritet me interes të madh nga besimtarët dhe komuniteti.