Alarmi: Kontejnerët me mbetje radioaktive helmuese kthehen në Shqipëri pas refuzimit nga Tajlanda

0

Një ngarkesë prej rreth 2,100 ton mbetjesh industriale të dyshuara se përmbajnë lëndë helmuese, të paketuara në 102 kontejnerë, pritet të kthehet në Shqipëri më 27 tetor përmes portit të Durrësit. Lajmin e bëri të ditur ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, një organizatë joqeveritare amerikane, duke njoftuar se kontejnerët fillimisht kishin lundruar drejt Azisë Juglindore, por pas një sinjalizimi, disa vende refuzuan të pranonin ngarkesën.

Ngarkesa, që filloi udhëtimin në korrik nga Shqipëria drejt portit italian të Triestes, u ngarkua në anije që lundruan drejt Tajlandës. Sidoqoftë, paralajmërimet e ‘Rrjetit të Aksionit të Bazelit’ për praninë e lëndëve helmuese në mbetjet industriale detyruan disa vende tranziti dhe Tajlandën që të refuzojnë importin.

Aktualisht, kontejnerët ndodhen në Asyaport, Turqi, në pritje të transportit të sigurt nga një anije turke drejt portit italian Gioia Tauro, prej nga do të drejtohen përfundimisht në Shqipëri. Rrjeti kërkon transparencë të plotë në procesin e kthimit dhe hapjen e kontejnerëve për inspektim në Durrës.

Artikulli i mëparshëmTiranës i mungojnë miliona lekë dhe pemë
Artikulli i radhësKryemadhi: Në gjyq pashë tre musketierët e drejtësisë së Ramës