Koncesioni i Check-up shtyhet deri më 2027, përfiton kohën e pezullimit në pandemi

0

Koncesioni i Check-Up në shëndetësi do të përfundojë afatin e tij zyrtar më 2027, një shtyrje prej disa vitesh krahasuar me kontratën fillestare. Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë, marrëveshja me kompaninë “3P Life Logistic” do të jetë aktive deri më 2027, përfshirë një shtyrje automatike për periudhën e pezullimit gjatë pandemisë Covid-19.

Kontrata u pezullua nga marsi 2020 deri në shtator 2021 për shkak të kufizimeve që synonin parandalimin e përhapjes së virusit. Për pasojë, periudha e pezullimit do t’i shtohet afatit fillestar, duke lejuar kompaninë të ofrojë shërbimet për një periudhë të barabartë me kohën e ndërprerjes.

Në vitin 2023, “3P Life Logistic” raportoi të ardhura prej 730 milionë lekësh, me fitime pas taksave që arrinin në 214 milionë lekë. Koncesioni, i cili nisi në vitin 2015, përfshin kontrolle bazë falas për qytetarët mbi një moshë të caktuar, me synim përmirësimin e shëndetit dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje PPP, janë parashikuar rreth 475,000 përfitues në vit ose 39,583 raste mujore, për të cilat kompania përfiton pagesa pavarësisht numrit real të përfituesve.

Artikulli i mëparshëmKosova në krizë energjetike: Importi i energjisë arrin 1.5 milionë euro në ditë para fillimit të dimrit
Artikulli i radhësHakmarrja e Melonit ndaj gjyqësorit si strategji politike për të forcuar pushtetin e saj