Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur një protestë masive që synon bllokimin e Tiranës në datën 23 dhjetor. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ai e përshkroi këtë protestë si një nga aktet më të fuqishme të mosbindjes civile që ka parë kryeqyteti.
“Ditën e hënë, më 23 dhjetor, në ora 17:00, Tirana do të bllokohet plotësisht nga Qafë Priska deri në Vorë. Kjo është një mosbindje civile për lirinë dhe kundër diktaturës,” deklaroi Berisha. Ai theksoi se skenari i protestës do të jetë dinamik dhe i detajuar, duke shtuar se mediat ndërkombëtare kanë treguar interes të madh për protestat e opozitës në Shqipëri.
Berisha garantoi mbështetjen e opozitës për organizimin e një mobilizimi të fuqishëm. “Do të jetë një nga mosbindjet civile më të shkëlqyera që kemi realizuar ndonjëherë,” tha ai, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestë.
Detajet e plota të skenarit pritet të publikohen në ditët në vijim, por Berisha siguroi se protesta do të jetë një akt i fortë kundër qeverisë dhe politikave të saj. Opozita synon të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare dhe të dërgojë një mesazh të qartë kundër, siç e quajti ai, “diktaturës në rritje.”