Platforma kineze e rrjeteve sociale TikTok ka reaguar pas vendimit të qeverisë shqiptare për të mbyllur qasjen në platformë për një vit. Në një përgjigje për Associated Press, TikTok ka njoftuar se do të kërkojë “qartësi urgjente” nga autoritetet shqiptare mbi arsyet e këtij vendimi, i cili pritet të hyjë në fuqi në janar 2025.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ky vendim është marrë pas një serie konsultimesh me prindër dhe mësues, si përgjigje ndaj një incidenti tragjik ku një 14-vjeçar u vra gjatë një konflikti midis nxënësve. Sipas Ramës, TikTok është bërë simbol i dhunës dhe bullizmit mes fëmijëve, duke përforcuar përmbajtje që nxisin sjellje të rrezikshme.
Në reagimin e saj, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që autori ose viktima e ngjarjes të kenë pasur llogari në platformë dhe se videot që çuan në tragjedi ishin publikuar në një rrjet tjetër social.
Mbështetje dhe kundërshtime
Ndërkohë që qeveria argumenton se vendimi reflekton shqetësimet e prindërve dhe sigurinë e fëmijëve, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e ka quajtur këtë vendim një akt censurues dhe abuzim me pushtetin.
Gjatë periudhës së mbylljes, qeveria planifikon të vendosë masa shtesë sigurie në shkolla, përfshirë rregulla për përdorimin e telefonave celularë dhe rritjen e pranisë së oficerëve të sigurisë.
Reagimet nga prindërit shqiptarë mbeten të ndara, ndërsa qeveria deklaron se vendimi synon një analizë më të thellë për të gjetur zgjidhje teknologjike që kufizojnë përmbajtjen e dëmshme për fëmijët.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI TikTok kërkon sqarime urgjente nga qeveria shqiptare pas vendimit për mbyllje