Rama i përgjigjet TikTok-ut: Vendimet i marrim ne, jo algoritmi juaj

0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së TikTok-ut për sqarime lidhur me vendimin për të ndaluar platformën për një vit në Shqipëri. Në reagimin e tij, Rama ka mbrojtur vendimin duke theksuar se Shqipëria nuk udhëhiqet nga pronarët e algoritmeve të rrjeteve sociale, por nga vullneti i shqiptarëve.

Sipas Ramës, mbyllja e TikTok-ut është një masë e mirëmenduar dhe e mbështetur nga konsultimet me prindër dhe komunitete arsimore në të gjithë vendin. Ai theksoi se platforma shihet si burim i nxitjes së dhunës dhe bullizmit mes të rinjve dhe për këtë arsye është e domosdoshme të merren masa për të mbrojtur fëmijët dhe rininë.

“TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria. Në Shqipëri vendosin shqiptarët, jo pronarët e algoritmit të TikTok-ut. Shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund të jetë shërbëtor i një platforme, por platforma duhet të shërbejë për shëndetin e tyre,” deklaroi Rama.

Arsyetimi i vendimit

Rama e lidhi vendimin me shqetësimet e ngritura pas një incidenti të rëndë, ku një adoleshent humbi jetën dhe një tjetër u plagos gjatë një konflikti që kishte nisur në rrjetet sociale. Ai shtoi se, ndryshe nga përmbajtjet edukative që promovohen në Kinë, TikTok në vendet e tjera shpesh përforcon dhunën dhe gjuhën e urrejtjes.

Në fund, kryeministri u shpreh se Shqipëria nuk është e madhe për t’i kërkuar TikTok-ut të ndryshojë algoritmin, por shpreson që platforma të ndërmarrë hapa për të mirën e njerëzimit.

Mbështetje dhe kundërshtime

Vendimi ka nxitur debate të shumta. Përveç mbështetjes nga një pjesë e prindërve, ka pasur edhe kritika nga opozita, e cila e ka cilësuar aktin si cenzurues dhe të motivuar politikisht.

TikTok mbetet i ndaluar të paktën për një vit, ndërkohë që qeveria planifikon masa shtesë sigurie në shkolla dhe analiza të mëtejshme për të adresuar kërcënimet që platforma mund të përfaqësojë.

Artikulli i mëparshëmTikTok kërkon sqarime urgjente nga qeveria shqiptare pas vendimit për mbyllje
Artikulli i radhësEdi Rama’s TikTok Ban: A Political Move Disguised as Child Protection