Për të gjithë ata që ende kanë iluzione, të jemi të qartë: Edi Rama nuk po e mbyll TikTok-un për të mbrojtur fëmijët shqiptarë. Ai po e bën këtë sepse TikTok është e vetmja hapësirë ku propaganda e tij nuk ka kontroll absolut.
Ky është një politikan që bullizon kundërshtarët me retorikë të ulët, që ka përdorur fjalor fyes dhe vulgar ndaj Fredi Belerit, që është tallur me Agron Gjekmarkajn live në emision, dhe që në televizion kombëtar ka përdorur fraza si “noc rroku” në prani të një audience ku ka edhe të mitur. Ky njeri kërkon të na bindë se e bën këtë për të mbrojtur fëmijët shqiptarë? Një hipokrit i përmasave të pashembullta!
Ky është i njëjti njeri që mburrej para biznesmenëve italianë se Shqipëria nuk ka sindikata, duke i ftuar t’i shtrydhin kockat punëtorisë shqiptare. Ky është njeriu që përdor këngëtarë si Noizy për të nxitur turmat në fushata elektorale, një personazh që promovon drogën, vrasjet dhe dhunën, dhe me të cilin pozon si mik i ngushtë në stadiume. Kjo është “mbrojtja” që Rama ofron për të rinjtë shqiptarë.
Hipokrizia e mbylljes së TikTok
Rama e ka justifikuar mbylljen e TikTok-ut me “ngjarje tragjike” dhe konsultime me prindër e mësues. Por e vërteta është se kjo është një lëvizje për të mbyllur gojën e të vetmes platforme ku zërat e pavarur dhe opozitarë arrijnë të depërtojnë.
Në vend që të krijojë një Shqipëri ku fëmijët kanë spitale pediatrike qendrore, ku të sëmurët kanë qasje në medikamente bazë, Rama zgjedh të përdorë frikën dhe censurën për të konsoliduar pushtetin e tij. Ky është një lider që nuk përballet me median, por shpërndan video të kuruara nga stafi i tij, duke shmangur çdo lloj përgjegjësie publike.
Shqipëria nuk vendos dot për TikTok, por Rama vendos për Shqipërinë
Edi Rama pretendon se TikTok është një kërcënim për fëmijët, ndërsa qeveria e tij ka futur në Kuvend personazhe me rekorde kriminale. Ai bën thirrje për “mbrojtjen e rinisë”, ndërkohë që gjatë 12 viteve qeverisje ka lënë arsimin dhe shëndetësinë në kolaps.
Nëse TikTok është një kërcënim për fëmijët shqiptarë, atëherë Edi Rama është kërcënimi më i madh për të ardhmen e këtij vendi. Ai nuk po e mbyll TikTok-un për fëmijët, por për të heshtur kritikët dhe për të ndaluar përhapjen e të vërtetës.
Një Shqipëri e lodhur nga gënjeshtrat
Shqiptarët duhet ta shohin këtë vendim për atë që është: një akt frikacak i një lideri që nuk duron lirinë e fjalës. Ky nuk është një vendim për sigurinë e fëmijëve, por një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur pushtetin në një vend ku shpresa ka vdekur prej kohësh.
Edi Rama nuk mbron as fëmijët, as të ardhmen, dhe sigurisht jo demokracinë. Ai mbron vetëm pushtetin e tij dhe ata që e rrethojnë në këtë teatrin e tij të gënjeshtrave dhe hipokrizisë. Shqipëria meriton më shumë se kaq.